Bota

Colin Powell ndërron jetë nga Covid 19, kush ishte ish-sekretari amerikan i Shtetit

Colin Powell, ish-sekretari amerikan i Shtetit në administratën George W. Bush, ka humbur jetën nga Covid 19 në mohën 84-vjeçare.

Ai ndihmoi në formimin e politikës së jashtme amerikane në fund të shekullit të 20-të dhe në vitet e para të 21-ës. Powell ka vizituar Shqipërinë në maj 2003.

Fillimisht, kundër një konflikti të armatosur ndaj Irakut të Sadam Huseinit, më 5 shkurt 2003 - duke ndryshuar pozicionin e tij me një fjalim të famshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së - ai e denoncoi më pas Irakun si prodhues të antraksit dhe armëve biologjike, duke paraqitur "dëshmitë" e veprimtarisë së rrezikshme të Sadamit.

"Unë nuk mund t'ju them gjithçka që dimë, por mund t'ju them se të gjitha gjërat që kanë dalë në dritë gjatë viteve, janë shumë shqetësuese. Faktet dhe sjelljet tregojnë se si Saddam Hussein dhe regjimi i tij fshehin përpjekjet e tyre për të prodhuar më shumë armë të shkatërrimit në masë".

Pretendimet e tij më vonë dolën të ishin plotësisht të rreme. Vite më vonë, Powell e kuptoi se ai fjalim do të mbetej përgjithmonë një njollë në karrierën e tij.

"A do ta kishte këshilluar ai pushtimin e Irakut nëse do ta dinte se Sadami nuk i posedon ato armë?", - pyeti gazeta “The Washington Post” shefin e atëhershëm të diplomacisë amerikane në vitin 2004, i cili u detyrua të përgjigjet: "Nuk e di, prania e arsenaleve ishte pjesa e fundit që e bëri atë një rrezik real dhe të menjëhershëm për rajonin dhe për botën. Mungesa e arsenaleve ndryshon llogaritjen politike, ndryshon përgjigjen që jepet”.

Powell ishte një ushtar profesionist i shquar, karriera e të cilit e çoi atë nga detyra luftarake në Vietnam, duke u bërë këshilltari i parë i sigurisë kombëtare me ngjyrë gjatë përfundimit të presidencës së Ronald Reagan dhe kryetari i parë afro-amerikan i Shefave të Shtabit të Përbashkët nën udhëheqjen e George HW Bush.

Popullariteti i tij kombëtar u rrit pas fitores së koalicionit të udhëhequr nga SHBA gjatë Luftës së Gjirit dhe në mesin e viteve ’90, ai u konsiderua një nga pretendentët kryesorë për t’u bërë presidenti i parë me ngjyrë i Amerikës.

Vizitoi Shqipërinë në maj 2003

Powell ka vizituar Shqipërinë në vitin 2003, kur ishte Sekretari amerikan i Shtetit, ai u prit nga kryeministri i atëhershëm Fatos Nano si dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta.

Takimin e parë, Sekretari amerikan i Shtetit e pati në selinë e presidencës, me presidentin e republikës, Alfred Moisiu. Presidenti i Shqipërisë i akordoi Sekretarit amerikan të Shtetit medaljen “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu”.

Më pas, Powell, bëri një takim kokë më kokë me kryeministrin Fatos Nano dhe pas disa minutash në praninë e medias nënshkruan marrëveshjen mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në lidhje me mosdorëzimin e qytetarëve amerikanë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë