Mjedis

Coca-Cola mes markave që mashtrojnë se janë miqësore me mjedisin

Sipas një raporti, pretendimet se ambalazhet plastike janë miqësore me mjedisin, të bëra nga markat e mëdha, duke përfshirë Coca-Cola dhe Unilever, janë mashtrim.

Fondacioni Changing Markets thotë se pretendimet se kompanitë po përdorin plastikë të riciklueshme për të trajtuar krizën e ndotjes plastike janë disa nga shembujt më të zakonshëm të Greenwashing (kur kompanitë reklamojnë se po përdorin materiale miqësore me mjedisin).

Në raport thuhet se kompanitë e mëdha po përdorin marketingun e tyre dhe reklamën për të fshehur ndikimin e vërtetë tyrin në mjedis.

George Harding-Rolls, menaxher i fushatës në Changing Markets Foundations, tha se hetimi i fundit ekspozon një sërë pretendimesh mashtruese nga markat e mëdha që çdo konsumator i ka në shtëpi dhe u besojnë.

“Kjo është vetëm maja e ajsbergut dhe është me rëndësi të madhe që rregullatorët ta marrin seriozisht këtë çështje”.

“Shumë kompani reklamojnë një ndryshim të vogël që mund të kenë bërë për të treguar se janë miqësore me mjedisin por fshehin nga ana tjetër ndikimin e madh që kanë.

Raporti përmend edhe kompaninë Skims që fundmi ka prezantuar një koleksion të ri me Kim Kardashian “Unë nuk jam plastik”. Kjo sepse sipas kompanisë, paketimi është krijuar që të zhduket totalisht kur futet në ujë.

Në raport shkruhet se në të vërtetë paketimi është plastik e llojit të 4 ose LDPE(Polietilen me densitet të ulët).

Coca-Cola, thotë raporti, ka shpenzuar miliona për të promovuar një risi që thotë se shishet e saj janë 25% plastike detare, por nuk përmend se kompania është ndotësi më i madh i plastikës në botë.

Prodhuesit e Mentos, Perfetti Van Melle, bëjnë reklamime të mëdha eko në lidhje me paketimin e kutisë së re të kartonit por ata nuk përmendin se ambalazhi është një material i përbërë nga kartoni, alumini dhe plastika, të gjitha të pariciklueshme.

Raporti veçoi Tesco-n për pretendimet e saj se paketimi i saj fleksibël plastik është i ri, i përmirësuar dhe "i riciklueshëm". Por për t'u ricikluar, klientët duhet ta kthejnë paketimin në dyqane më të mëdha dhe madje edhe atëherë nuk ka gjasa që të riciklohet. Në vend të kësaj, me siguri do të eksportohet, digjet ose dërgohet në landfill, thotë raporti.

Shishet e shampos Head and Shoulders të Procter & Gamble po promovohen si të bëra nga "plastika e plazhit", por shishja është e lyer blu, që do të thotë se nuk mund të riciklohet më tej, thuhet në raport.

Shembujt tregojnë se markat po prezantojnë materiale dhe po shesin produkte duke pretenduar se janë më të mira për mjedisin kur ato janë ose të vështira për t'u ricikluar, nuk mund të riciklohen fare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë