Mjedis

Coca-Cola do të sponsorizojë bisedimet globale të klimës sivjet, por aktivistët nuk e pranojnë

Aktivistët e klimës janë "të habitur" me vendimin e Egjiptit që Coca-Cola të sponsorizojë bisedimet globale të klimës për këtë vit.

Aktivistët thanë për BBC se kjo i ndryshon gjithë bisedimet, pasi shumica e plastikës janë bërë nga lëndë djegëse dhe sipas tyre, Coca-Cola është një ndër ndotësit më të mëdhenj.

Coca-Cola tha se "ndan qëllimin e eliminimit të mbetjeve dhe vlerëson përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin".

Bisedimet e këtij viti të OKB-së për klimën COP27 priten nga qeveria egjiptiane në nëntor në Sharm el-Sheikh.

Egjipti njoftoi se kishte nënshkruar marrëveshjen e sponsorizimit javën e kaluar.

Në nënshkrimin, Zëvendës-Presidenti Global i Coca-Cola, Michael Goltzman tha se përmes partneritetit me COP27, sistemi i Coca-Cola synon të mbështesë veprimin kolektiv kundër ndryshimit të klimës".

Por kundërshtimi është rritur gjatë javës së kaluar për lidhjet e Coca-Cola me ndotjen plastike. Aktivistët e klimës po akuzojnë kompaninë për "greenwashing" dhe më shumë se 5000 persona deri më tani kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar që vendimi të anulohet.

Kompania pranoi në vitin 2019 se përdor tre milionë ton ambalazhe plastike në një vit.

E gjendur në çdo kontinent dhe në oqeane, plastika është një burim kryesor i ndotjes. Prodhimi i tij gjithashtu kontribuon në ngrohjen globale. Aktualisht 99% e plastikës globale prodhohet nga lëndët djegëse fosile në një proces të quajtur 'plasaritje' i cili prodhon emetime të gazrave serrë dhe nxit ndryshimet klimatike.

Dhe në vitin 2021, një auditim nga Break Free From Plastic e quajti Coca-Cola si ndotësin numër një plastik në botë.

Mohammad Ahmadi i Organizatës Earth Uprising International tha se ky veprim i presidencës së COP27 shkon kundër qëllimit të konferencës.

Gjithashtu edhe Steve Trent, CEO i Fondacionit të Drejtësisë Mjedisore, i bëri thirrje Egjiptit të anulojë vendimin.

As presidenca e Egjiptit COP27 dhe as UNFCCC, organi i OKB-së për ndryshimet klimatike nuk iu përgjigjën kërkesës së BBC-së për koment mbi marrëveshjen e sponsorizimit.

Vitin e kaluar, kur qeveria e Britanisë priti bisedimet për klimën, ata ndaluan kompanitë e karburanteve fosile të sponsorizojnë ngjarjen.

"I gjithë modeli i biznesit të Coca-Cola është i bazuar në lëndët djegëse fosile. Ata kanë bërë premtime për të përmirësuar riciklimin, përpjekje që nuk janë përmbushur kurrë", tha Trent.

Aktivistët e klimës nuk janë të shqetësuar vetëm për sinjalin e dërguar nga sponsorizimi, por edhe se si mund të ndikojë në negociatat.

Nyombi Morris, aktiviste klimatike tha se kur ndotësit dominojnë negociatat për klimën, “ne nuk marrim rezultate të mira”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë