Mjedis

Ç’na mbron nga korona, bëhet problem për mjedisin

Dorezat plastike, maskat apo mjete të tjera që përdoren për t’u mbrojtur nga Covid 19, përfundojnë në det dhe sjellin rreziqe për mjedisin dhe kafshët

Në përpjekje për t'u mbrojtur nga Covid-19 shumë njerëz përdorin doreza plastike, piceta të lagura dhe shishe me dezinfektues. Dhe shumica e tyre i hedhin ato në rrugë, parqe apo trotuarë nga Nju-Jorku në Londër, nga Greqia deri në ishujt e pabanuar Soko që gjenden disa milje detare larg prej Hong Kongu. Në brigjet e ishujve Soko Gary Stokes nga grupi ambientalist OceansAsia gjeti rreth 100 maska.
“Asnjëherë nuk kemi parë kaq shumë maska në një vend kaq të largët”, thotë Stoks. Ai dyshon se maskat kanë ardhur nga Kina ose Hong Kongu. “Kur i gjetëm, kishte vetëm gjashtë deri tetë javë që njerëzit kishin filluar të mbanin maska”, shprehet ai.
Ndikimi ndaj botës së kafshëve
Mbajtja e dorezave, e maskave dhe e pajisjeve të tjera mbrojtëse është e rëndësishme si për personelin mjekësor, dhe për publikun e gjerë. Por nëse ato nuk asgjësohen si duhet ambientalistët mendojnë se ato sjellin rreziqe për mjedisin dhe kafshët.

“Kur dikush i hedh në rrugë dhe bie shi, dorezat dhe maskat përfundojnë në det”, shpjegon Anastasia Miliou, biologe dhe drejtore për kërkimet shkencore në Institutin Archipelagos për Konservimin Detar në Greqi.
Madje dhe në Hong Kong, ku plehërat e hedhura në rrugë janë të rralla, maskat mund të përfundojnë në det në mënyra të ndryshme. “Ka njerëz që vrapojnë dhe u bie rastësisht maska, ose ka raste që edhe nëse maskat janë hedhur në plehëra, ato janë mjaft të lehta dhe i merr era”.
Dhe sapo maskat arrijnë në det, ato përbëjnë rrezik për jetën e qenieve detare. “Në ujërat e Hong Kongut ka delfinë rozë dhe breshka jeshile”, thotë Stokes. Dhe, sipas një studimi të publikuar kohët e fundit, sendet prej prej plastike marrin erën e algave dhe të bakterieve kur ka qëndruar ca kohë në ujë dhe breshkat ose delfinët kujtojnë se janë ushqime dhe i hanë. /DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë