Analize

Çmontimi i kanabisit mban mbyllur dyert e BE për Shqipërinë

Shqipëria konsiderohet nga Europoli si prodhuesi më i madh i kanabisit në natyrë në Europë. I përshkuar si "ari i gjelbër", ai është kthyer në një industri miliarda euroshe. Madje sipas raportit të policisë italiane të vitit 2013, vlera e tregut e drogës së Lazaratit, i njohur si "mbretëria e kanabisit", vlerësohej se shkonte në atë deri në 4.5 miliardë euro. Por si do të ndikojë ky fenomen në procesin e anëtarësimit në BE? A do të arrihet në kohë çmontimi i grupeve kriminale për integrimin e vendit dhe a do te binden vendet anëtare deri në qershor të 2019-ës për t’i hapur Shqipërisë “dyert” e Bashkimit Europian ?

Nga Xhuliana Toci - Që nga qershori i këtij viti, kur Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, disa vendet anëtare të BE-së, veçanërisht Franca, po "përpiqen" të pengojnë hyrjen e vendit tonë. Duke cituar burime brenda qarqeve të BE-së, gazeta britanike “Express.Uk” shkruan se Parisi kundërshton anëtarësimin e Shqipërisë në BE për shkak të problemeve të vendit tonë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sipas gazetarëve britanikë, asnjë vend tjetër evropian nuk kultivon më shumë kanabis sesa Shqipëria.

“Express” citon edhe raportet e gazetës prestigjoze “The Times”, e cila shkruante në vitin 2017 se trafiku i drogës, nga fshatrat malorë shqiptarë në BE, është burimi kryesor i të ardhurave për mafien shqiptare. “Edhe vetë autoritetet shqiptare shpesh marrin pjesë në krimin e organizuar së bashku me gjykatësit, prokurorët dhe policinë që lejojnë rrjetet”, shkruan gazeta britanike.

Gazetarët britanikë sjellin në vëmendje edhe procesin e Vettingut, duke thënë se një komision ekspertësh ndërkombëtarë po shqyrton pasuritë e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. Më shumë se 40 gjyqtarë dhe prokurorë të lartë janë shkarkuar tashmë nga postet e tyre, sepse nuk mund të provonin burimet e të ardhurave të tyre. “Express” thekson ndër të tjera se një tjetër pengesë për anëtarësimin e vendit tonë në BE është emigracioni. “Shqipëria ka një shkallë jashtëzakonisht pakënaqësie dhe qindra mijëra njerëz janë larguar nga vendi përgjatë viteve të fundit”, shkruan gazeta britanike.

Lufta kundër krimit të organizuar: Shqipëria dhe BE nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit gjyqësor 

Sipas saj, lufta kundër kanabisit dhe krimit të organizuar në vendin tonë, shkon krah për krah me procesin e anëtarësimit në BE. Nën këto kushte, Bashkimi Europian dhe Shqipëria nënshkruan të premten e kaluar një marrëveshje për të forcuar koordinimin gjyqësor në luftën kundër krimit të organizuar. Marrëveshja paraqet një hap të rëndësishëm në luftimin e krimeve ndërkufitare, të cilat përfshirë trafikimin e drogës dhe trafikimin e qënieve njerëzore. Marrëveshja e nënshkruar në Tiranë do të lejojë për herë të parë, ndarjen e të dhënave ndërmjet Shqipërisë dhe Eurojust-it.

Pakti vjen pasi një sërë vendesh europiane, si Franca dhe Hollanda, ngritën alarmin se krimi i organizuar është një çështje serioze në Shqipëri. Sipas medieve britanike, mbizotërimi i grupeve kriminale dhe fuqia politike që ato kanë fituar, është kthyer në një nga pengesat kryesore për anëtarësimin e vendit tonë në BE. Në qershor, ministrat e BE-së shtynë vendimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë deri në qershor të vitit 2019, duke cilësuar si arsye kryesore korrupsionin e shfrenuar dhe sistemin gjyqësor joefektiv.

Përse vendet e BE-së janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë?

Gjatë samitit të Sofjes, në qershor të këtij viti, shumica e shteteve anëtare të BE-së mbështetën hapjen e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Megjithatë, të tjera bisedime duket se janë mbajtur prapa dyerve të BE-së. Një dokument i fshehtë i hartuar nga Franca dhe Holanda  theksonte se Shqipëria është shumë e korruptuar për të hyrë në BE. Dy shtetet kyçe të Bashkimit Evropian nuk i kanë kursyer kritikat, duke u shprehur të shqetësuara mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të  organizuar në Shqipëri.

Dokumenti bënte të qartë se Hollanda dhe Franca nuk janë të bindura se dhënia e rekomandimit pa kushte nga Komisioni Europian do të nxisë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Tiranën. Drafti vlerëson se reforma në drejtësi është ende në hapat e parë dhe se korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha, duke qenë një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë. Dokumenti theksonte gjithashtu se ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është shumë i ulët. Sipas Francës dhe Holandës, lufta ndaj krimit në Shqipëri është e pamjaftueshme për shkak të burimeve të kufizuara të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të dobëta. Sikur mos të mjaftonte kjo, rezultatet konkrete të dënimeve dhe konfiskimet e aseteve të zyrtarëve të korruptuar janë të rralla.

“Shqipëria, e gjunjëzuar nga varfëria, mori statusin si vend kandidat për anëtarësimin në BE disa vjet më parë me miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve. Komisioni Europian dëshiron të nisë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke dhënë madje edhe një datë për anëtarësimin e mundshëm të ketyre dy vendeve: 2025-ën”, shkruante disa muaj më parë “De Telegraaf”, gazeta më e madhe holandeze. “Qeveria holandeze nuk e sheh situatën njësoj me Bashkimin Europian, pasi ka shqetësime serioze në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ekspertët e sigurisë janë ende të shqetësuar për trafikun e drogës nga Shqipëria dhe kontrabandën e kokainës në Europë, sidomos drejt Holandës”, theksonte gazeta.


Edi Rama dhe Mark Rutte

Pavarësisht argumenteve të disa prej vendeve anëtarë, Komisioni Europian ka kërkuar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në qershor te vitit të ardhshëm. Shqipërisë iu kërkua të bënte përpjekje të mëtejshme për luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë edhe krijimin e një institucioni të fortë për hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet e zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive. Sipas një progres-raportit të publikuar nga Komisoni Europian në 17 maj të këtij viti, Tirana ka bërë një punë thelbësore në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional (duke përfshirë edhe krijimin e SPAK) për të forcuar, parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Por raporti thekson se përsa u përket përpjekjeve për vazhdimin e një lufte solide kundër korrupsionit, procesi ka ngecur në pika të ndryshme të zinxhirit të hetimit.

Shqipëria, 'Kolumbia e Europës'

Në raportin e tij për vitin 2017, Europol deklaroi se Maroku mund të jetë burimi kryesor i rrëshirës së kanabisit, por Shqipëria është furnizuesi kryesor i kanabisit bimor të trafikuar në Bashkimin Europian. Pavarësisht nga përpjekjet e Shqipërisë për të goditur tregtinë e paligjshme, raportet e fundit ndërkombëtare bëjnë me dije se bandat kriminale që kanë kultivuar lëndë narkotike po i shpëtojnë drejtësisë shqiptare.

Qendra Europiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA), theksoi po ashtu në raportin e saj të fundit se Shqipëria mbetet një burim i kanabisit që futet dhe konsumohet në BE dhe kjo është një siguri. Sipas të dhënave, kultivimi i kanabisit në Shqipëri ka rënë në mënyrë të konsiderueshme, megjithatë duket se ka bërë një rikthim të vitit të kaluar, kur u konfiskuan 75 tonë kanabis. EMCDDA thekson gjithashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor janë veçanërisht të rëndësishme, jo vetëm si prodhuesit e kanabisit, por edhe si porta për kokainë dhe heroinë. Dy shtigjet kryesore përshkojnë për trafikimin e drogës në BE janë: Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri, dhe Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri. Shqipëria, si porta jugore të Ballkanit, luan një rol të rëndësishëm në të dyja këto shtigje.

Policia shkatërron bimët e kanabisit  

Një tjetër raport i Departamentit Amerikan të Shtetit për lëndët narkotikët theksonte po ashtu se kultivimi i kanabisit brenda Shqipërisë është rritur përgjatë 2017-ës, pavarësisht arrestimeve dhe plantacioneve të shkatërruara.

Ndërkohë, sipas hulumtimit të kryer nga DW, një fermë kanabisi fiton 200 euro për një kilogram kanabis. Kanabisi shpesh mbillet në ngastra "të egra" dhe zona që janë të vështira për t'u arritur. Disa kultivues kanabisi kanë zhvilluar edhe sisteme të ujitjes dhe mbrojnë fushat e tyre me armë, shkruan gazeta gjermane. “Është e lehtë për zotërinjtë e drogës që të gjejnë punëtorë që mund të korrin, të thajnë dhe të paketojnë kanabisin. Një nga arsyet pse tregtia e kanabisit është e vështirë për t'u shuar është fakti se trafikantët i paguajnë mirë punëtorët e fermave të kanabisit, me rreth 20 euro dita”, shkrua  gazeta gjermane.

Ndërkohë Elvis Nabolli, drejtor menaxhues i stacionit televiziv "Rozafa" në qytetin e Shkodrës dhe fituesi i fundit i çmimit të gazetarisë hulumtuese të dhënë nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), thekson se tregtia e drogës është e rrezikshme për fermerët e thjeshtë, por jo për zotërinjtë e drogës. "Industria kontrollohet nga njerëz të fuqishëm që kanë lidhje të fuqishme me autoritetet, duke filluar nga policët e rregullt në pjesët më të larta të zinxhirit", thotë Nabolli. "Po, është gjithashtu e vërtetë që policia shkatërron shumë fusha të kanabisit, por ato që kanë mbrojtje të veçantë mbeten të paprekura".

Grupet kriminale në Shqipëri

Një raport i vitit 2016 i kryer nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë vëren se aktivitetet e paligjshme të grupeve kriminale, përdorimi i gjuhës së koduar dhe i telefonave të pakontrollueshëm, është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave, nga viti 2008 e në vazhdim, grupet shqiptare u bënë më të spikatura në rrjetet ndërkombëtare, veçanërisht në trafikimin e kanabisit. Raporti thekson gjithashtu se grupet e krimit po përdorin gjithnjë e më shumë biznese të ligjshëm si "fronte" mbrojtëse për të maskuar trafikimin e kokainës dhe të lëndëve të tjera narkotike.

Policia hyn në Lazarat

Pak muaj më parë, policia shqiptare kapi sasinë më të madhe të kokainës në historinë e vendit. 613 kilogramë kokainë kolumbiane me vlerë 220 milionë dollarë u kapën në një kontenier bananesh, pranë Durrësit. Ndërkohë, nga janari i 2015 deri në shtatorin e vitit 2018, Eurojust-i ka regjistruar në Shqipëri 200 raste që përfshijnë trafikun e drogës, mashtrimet, vrasje dhe krimet e tjera. Madje Shqipëria ka qenë e përfshirë në 26 hetime ndërkombëtare në tre vitet e fundit.

Ndërkohë, raporti i publikuar nga Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në vitin 2017, i titulluar “Evolucioni i krimit të organizuar shqiptar”, thekson se organizatat kriminale shqiptare kontrollojnë territore, kanë investime të mëdha në ekonomi dhe ndikim të fortë tek politika e vendit. Një tjetër raporti i Departamentit të Shtetit, publikuar në mars të këtij viti  rëndit Shqipërinë edhe në listën e vendeve që shërbejnë si “lavatriçe” të mëdha të pastrimit të parave të pista, duke theksuar se, edhe pse sasia e drogës së sekuestruar është rritur ndjeshëm dhe po ashtu edhe numri i personave që kanë përfunduar në pranga, dyshimet mbesin mbi vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë për të goditur grupet kriminale. “Të ardhurat e siguruara nga aktivitetet e paligjshme pastrohen lehtësisht”, thotë DASH. Por si? Raporti i amerikanëve identifikon dy fusha kryesore; së pari sektorin e ndërtimit dhe së dyti kumarin, duke përfshirë këtu kazinotë e lojërat e ndryshme të fatit dhe lotaritë sportive. “Agjencitë ligjzbatuese njohin domosdoshmërinë për të luftuar pastrimin e parave, por përgjithësisht mbeten të paafta për t’u përballur me këtë fenomen”, thuhet në raportin e DASH.

Dhe ishte pikërisht lufta kundër grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike shtyu me një vit hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Në këto kushte, çmontimi i grupeve kriminale mbetet një sfidë me rëndësi jetike për integrimin e vendit në BE. Mbi këtë dhe çështje të tjera qeveria shqiptare duhet të punojë nga tani deri në vitin 2019 për të bindur Bashkimin Europian që të hapë negociatat e anëtarësimit.

Burimet" "Europa.Eu", DASH", "BBC", "Express.UK" "OCCRP", "Euro News", "Corriere della Sera"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë