Libra

Çmimi ‘Lumo Skëndo’ për vitin 2022, kryetarja e jurisë: Celebrim i bibliofilisë

Çmimi “Lumo Skëndo” i themeluar një vit më parë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për veprën më të mirë në publicistikë dhe eseistikë, këtë vit shënon edicionin e tij të dytë. J

Juria përbëhet nga Belina Budini (Kryetare) dhe anëtarë studiuesi Uran Butka, drejtoi i Arkivës, Ardit Bido, pedagogia Teuta Toska dhe gazetarja Monika Stafa.

Belina Budini theksoi rëndësinë që ka Mid’hat Frashëri i njohur edhe si Lumo Skëndo.

“Edicioni i dytë i Çmimit ‘Lumo Skëndo’ nga QKLL është një lajm i mirë për autorët që do të vlerësohen kryesisht në gjinitë e publicistikës dhe eseistikës. Është një rast i mirë për të sjellë në vëmendje emrin e një figure të rrallë dhe të shumanshme, siç është Mid’hat Frashëri.

Një mendimtar kalibri si ai meriton të çmohet dhe rivlerësohet për gjeneratat e reja, për t’i bërë drejtësi mohimit të njohjes së tij nga regjimi i kaluar. Botimet që do të merrem në shqyrtim janë ato të vitit 2022 dhe lista e autorëve në garë është gjithëpërfshirëse në këtë fazë të vlerësimit paraprak, prandaj jemi të hapur ndaj të gjitha prurjeve të reja në këtë fushë të lëvruar mjaft, por jo të vlerësuar aq dhe si duhet ne hapësirën publike”, tha Budini.

Ajo shtoi se nga përvoja e vitit të kaluar në juri si edhe nga përvoja me Çmimin Kadare qe jepet nga Universiteti Europian, ka motivim shumë inkurajues dhe është optimiste pasi çmime të tilla, nxisin krijimtari dhe kontribute, përveçse shërbejnë për të vlerësuar ato ekzistuese.

Në anën tjetër, Budini theksoi se me një çmim dedikuar Mithat Frashërit celebrohet gjithashtu bibliofilia, ndërsa ndau lajmin e një projekti që do të rikthente vlerat e humbura në vend.

“Vijojmë bashkëpunimin për një projekt me Institutin ‘Lumo Skëndo’ dhe UET ne lidhje me rikthimin e librarisë së famshme ‘Lumo Skëndo’ në qytet. Duke qenë edhe një nga autoritetet vlerore më të larta shqiptare, Mid’hat Frashëri i bën nder çdo emri që asociohet me të, në respekt të karakterit idealist, etikës e moralit intelektual, ndaj ndihem e nderuar të jem në krye të kësaj jurie që ashtu si edicionin e kaluar, ka vendosur kritere rigoroze në drejtim të kultivimit të vlerave të tilla të cilat vetë Mid’hat Frashëri i ka mishëruar në veprën dhe jetën e vet”, tha Belina Budini, Dekane e Shkencave Humane, UET.

Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, u shpreh se eseistika dhe publicistika luajnë një rol të rëndësishëm në diskursin publik.

“Këto dy zhanre, që shpesh lihen në harresë, janë thelbësore në zhvillimin e debateve bashkëkohore konstruktive e të thelluara shoqërore, veçanërisht në epokën e zhurmshmërisë masive në të cilën jetojmë”, u shpreh Bido.

Ndërsa historiani Uran Butka, theksoi rëndësinë e organizimit të një çmimi dhe peshën që i jep publicistikës.

Ndërkaq, juria ka nisur shqyrtimin e veprave të botuara vitin e shkuar në publicistikë e eseistikë dhe është e hapur për të gjitha prurjet.

Në edicionin e mëparshëm fituese e çmimit Lumo Skëndo ka qenë Lea Ypi me librin “Të lirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë