Libra

Çmimi ‘Kadare’ shkon për shkrimtaren nga Maqedonia e Veriut, Nurie Emrullai

Nga Gazeta Si - Çmimi letrar “Kadare” i është akorduar shkrimtares së re, Nurie Emrullai nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut për veprën “Duhet të jetë dashuri”, e përzgjedhur mes 27 dorëshkrimeve në prozë nga 27 autorë.

Poetja dhe shkrimtarja nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, ishte në listën përfundimtare të pesë finalistëve për çmimin “Kadare”, ku në fund arriti të fitojë përballë emrave si Grigor Banushi, Leonard Veizi, Suad Arilla, apo Klidi Apostoli.

“Është një emër surprizë, por plotësisht i merituar për këtë zonjë nga bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, edhe për të  provuar se letërsia e mirë shqipe shkruhet kudo dhe jo vetëm në Tiranë”, kështu e ka cilësuar Emrullain kryetarja e jurisë për dhënien e çmimit, poetja Natasha Lako.

Ndërsa, motivacioni i dhënies së çmimit, sipas vendimit unanim të jurisë, është dallimi i gjetjeve stilistikore dhe talentit, për t’i dhënë mikrokozmosit të saj, një frymë letërsie universale.

Ndër të tjera, kryetarja e jurisë, poetja Natasha Lako u shpreh se edicioni i këtij viti dha mesazhe frymëzuese për letërsinë shqiptare.

Çmimi Kadare është themeluar në vitin 2014 me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës dhe ka si mision ‘inkurajimin e të shkruarit të letërsisë shqipe, përmes botimit dhe promovimit të veprës fituese si dhe nxitjen e debatit për letërsinë shqipe.

Fituesit e Çmimit “Kadare” ndër vite:

Fituesja e Çmimit Kadare 2022 ishte Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të verdha”

Çmimin Kadare 2021 e fitoi autori nga Kosova, Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e qyqes”

Çmimin “Kadare” 2019, e fitoi Loer Kume si përfaqësuesi i një brezi të ri shkrimtarësh, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”.

Në vitin 2018, fitues i Çmimit “Kadare” ishte shkrimtari Virgjil Muçi, me veprën “Piramida e shpirtrave”.

Në vitin 2017 fitues i Çmimit Kadare ishte Musa Ramadani, me romanin “Profeti nga Praga”.

Autori Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji” ishte fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016.

Ndërsa fituesi i parë i Çmimit “Kadare” 2015, ishte shkrimtari Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë