Treg

Çmimi i ushqimeve rriti inflacionin vjetor të korrikut, por larg objektivit të BSH-së

INSTAT ka raportuar sot (të enjten) se niveli i përgjithshëm i çmimeve për korrikun në terma vjetorë është 2,1 % duke vijuar rritjen. Kjo rritje është ndikuar nga ushqimet.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 4,3 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,7 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,5 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,9 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Komunikimi” me 0,4 % dhe “Shëndeti” me 0,2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,2 %.

Por në Korrik 2020, ndryshimi mujor (pra krahasuar me muajin parardhës) i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,5 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,0 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,0 % dhe “Veshje dhe këpucë” me 0,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 2,6 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 % secili dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,1 %.

Të dhënat e BSH-së tregojnë se inflacioni mesatar i tremujorit të dytë ishte në nivelin 1.9%, duke u rritur me 0.3 pikë përqindje kundrejt tremujorit paraardhës. Kjo rritjeerdhib  si pasojë e goditjeve të përkohshme mbi kostot e prodhimit dhe tregtimit, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia, ndërkohë që ngadalësimi i kërkesës veproi në kahun rënës. Presionet e huaja inflacioniste patën një ndikim të kontrolluar në ecurinë e çmimeve të konsumit në vend.

BSH parashikon se inflacioni do të kthehet në objektiv kur të dilet nga kriza dhe Ekonomia të rimëkëmbet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë