Treg

Çmimi i aksioneve globale rritet pas marrëveshjes së tavanit të borxhit të SHBA

Aksionet globale dhe çmimet e naftës u rritën, teksa investitorët mirëpritën lajmet për një marrëveshje, që mund të shmangte një falimentim katastrofik të pagesës së borxhit të SHBA.

DAX i Gjermanisë (DAX) u rrit me 0.3%, CAC 40 e Francës (CAC40) me 0.2%. Në Azi, Nikkei 225 i Japonisë (N225) u mbyll në nivelin më të lartë të 33 viteve, i nxitur nga optimizmi mbi marrëveshjen e tavanit të borxhit dhe Jenit më të dobët. Indeksi është rritur me gati 20% këtë vit.

Tregjet e SHBA dhe Britanisë së Madhe,ishin të mbyllura të hënën(29 maj) për pushime. Por, kontratat e së ardhmes Dow dhe S&P 500, u rritën rreth 0.3%, ndërsa të Nasdaq me 0.5%. Tregjet amerikane shënuan rritje të premten, pas raportimeve se presidenti Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy, ishin afër një marrëveshjeje për të lejuar qeverinë amerikane të vazhdojë të paguajë ‘faturat’.

Ata arritën një marrëveshje në parim të shtunën, për të rritur tavanin e borxhit për dy vjet dhe për të kufizuar shpenzimet. Marrëveshja i shtyn Shtetet e Bashkuara një hap prapa, nga pragu i një falimentimi historik, i cili, nëse do të ndodhte, do të përmbyste tregjet e aksioneve dhe obligacioneve. Gjithashtu, do të shkaktonte dëme të rënda për ekonominë e SHBA-së dhe atë botërore.

Kontratat e së ardhmes të naftës së papërpunuar Brent, pikë referimi globale e naftës, u rritën 0.6% në 77.39 dollarë për fuçi. Nafta e papërpunuar WTI, standardi amerikan, fitoi 0.7%, duke u tregtuar me 73.15 dollarë për fuçi.

Lira e Turqisë, ndërkohë, u ul në 20.07 krahasuar me dollarin amerikan, një rekord i ri i ulët. Presidenti turk Tajip Erdogan siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale, duke e shtrirë sundimin e tij në dekadën e tretë. Erdogan tha se ai do të vazhdojë me politikën e tij të pazakontë të uljes së normave të interesit, për të ulur inflacionin.

Ndërkohë që, marrëveshja e borxhit të SHBA-së u ka dhënë tregjeve shkak për optimizëm, ka ende shumë punë për të kryer.

Tani të dy udhëheqësit, duhet t’ua shesin marrëveshjen aleatëve të tyre në Kongres, ku republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Demokratët kontrollojnë Senatin. Marrëveshja duhet të miratohet përpara 5 qershorit, datë vendimtare kur Sekretarja e Thesarit Janet Yellen thotë se, SHBA nuk do të jetë më në gjendje të paguajë faturat e saj.

Yellen dha një afat kohor të përditësuar të premten, pasi më parë kishte vendosur afat më të hershëm, më 1 qershori.

Marrëveshja duket se shënon “një përparim të rëndësishëm në situatën e tavanit të borxhit të SHBA”, tha analisti Jun Rong Yeap.

Kina dhe Japonia janë mbajtësit më të mëdhenj të huaj të borxhit amerikan, duke zotëruar së bashku 2 trilion dollarë në thesaret e SHBA. Një dështim i mundshëm i borxhit të SHBA, do të ishte shkatërrues edhe për ekonomitë e tyre. 

Burimi: CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë