Sport

Çmimi “Albanian Sports Ambassador”, nominohen Cana, Murati dhe Tare

Më 28 shtator, në një mbrëmje gala që do të organizohet  në Tiranë, do të shpallet fituesi i parë i çmimit “Albanian Sports Ambassador”. Një çmim i ri, që do të jepet për kontributin e dhënë nga emra të njohur të të gjitha sporteve, por kuptohet që dominon futbolli, si gjithmonë. Është përcaktuar juria që do të vendosë për fituesin e këtij çmimi dhe ajo kryesohet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Bordi organizator i “Albanian Sports Ambassador” ka zgjedhur në juri edhe themeluesin e tij dhe të “German Football Ambassador”, Roland Bischof, ish-basketbollisten Mirza Alibegaj, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, Kujtim Gashin, Luar Aranin, themeluese dhe menaxhere projektesh, dhe gazetarin Elert Yzeiri. Janë shpallur tashmë edhe sportistët e nominuar për çmimin kryesor “Albanian Sports Ambassador”. Më 28 shtator, në këtë event, do të jepen edhe tre çmime të tjerë, që janë “Çmimi i nderit”, “Çmimi i Audiencës” dhe “Çmimi New Entry”. Për çmimin kryesor të tre të nominuarit janë nga futbolli, Lorik Cana, Edvin Murati dhe Igli Tare.

Lorik Cana dhe Igli Tare

“Falënderoj organizatorët e këtij eventi për ndarjen e çmimeve “Albanian Sports Ambassador”, një lëvizje që lidhet direkt me vlerësimin e figurave në sport, jo vetëm në futboll, për kontributin që kanë dhënë dhe japin aktualisht. Për çmimin kryesor të dominuar janë Lorik Cana, ish-kapiteni i Kombëtares, Edvin Murati, ish-futbollist i Kombëtares dhe Igli Tare, ish-futbollist i Kombëtares dhe aktualisht Drejtor Sportiv te Lacio”, - tha në fjalën e tij presidenti Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë