Futboll

Çmenduri në Turqi! Grushte arbitrit, arrestohet presidenti i ekipit. Pezullohet kampionati

Gazeta Si – Ndalet kampionati në Turqi pas çmendurisë që ndodhi mbrëmjen e së hënës, kur presidenti i Ankaragyçy, Faruk Koca, goditi me grusht arbitrin Meler në fund të ndeshjes ndaj Rizespor. Më pas Koca u arrestua. Pamjet e dhunës së presidentit Koca dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij ndaj arbitrit bënë xhiron e botës.

Kampionati është pezulluar pa afat nga presidenti i Federatës Turke të Futbollit, ndërkohë që ka reaguar edhe Erdogan, duke dënuar dhunën.

Ekipi vendës udhëhiqte 1-0, por në shtesë u barazua 1-1 dhe aty filloi çmenduria. Arbitri Halil Umut Meler u sulmua në fushë nga presidenti i Ankaragyçy, i cili la tribunën i tërbuar. Një grusht në fytyrë, poshtë syrit të majtë, duke mos i lënë kohë të mbrohej arbitrit. Arbitri, i frikësuar, ra në fushë, por dhuna nuk përfundoi aty. Dy persona të tjerë që kanë lidhje me klubin e kanë goditur me shkelma.

Arbitri u shpëtua nga lojtarët dhe stafet. Meler doli nga fusha me këmbët e veta dhe shkoi në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Me syrin e enjtur ai dukej shumë i trembur, i traumatizuar nga ajo që ndodhi.

E pamundur për të mos reaguar ndaj kësaj dhune. Institucionet turke, pak minuta pas agresionit dhe videove që pushtuan rrjetet sociale, kanë mbajtur qëndrim. I pari ishte ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya. Ai bëri të ditur arrestimin e 3 personave, mes tyre dhe presidenti i Ankaragyçy, Koca.

Logjik pastaj komunikimi i Federatës Turke për pezullimin e kampionatit. Edhe shoqata e arbitrave turq reagoi, duke e quajtur një ‘mbrëmje të zezë’.

Nuk mungoi reagimi i presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili u shpreh: "Dënoj sulmin. Nuk do të lejojmë kurrë që dhuna të ketë vend në sport". Sipas shtypit turk, partia islamiste konservatore e Erdogan ka nisur procedurat e përjashtimit të presidentit të klubit, Koca, që më parë është zgjedhur dy herë deputet, në 2002-shin dhe 2007-ën.

E vështirë jeta e arbitrave në Turqi. Në mars të 2022-shit në fakt 13 prej tyre janë pezulluar deri në fund të sezonit. Mes tyre edhe ndërkombëtari Çunejt Çakir. Presidenti i shoqatës së arbitrave, Ferhat Gündogdu, në atë kohë shpjegoi: "Ndiheshin sipër institucionit”. Arbitrat kanë qenë objekt kritikash të forta nga klubet, që kanë bërë presion te shoqata për marrje masash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë