Politike

Clinton dhe Albright: E gjithë bota duhet të jetë krenare për Kosovën!

20-vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s ka bërë bashkë në Prishtinë të gjithë heronjtë ndërkombëtarë të shqiptarëve të Kosovës, duke filluar nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja Madeleine Albright e deri tek komandantët që detyruan ushtrinë serbe të tërhiqej.

Në vizitën e tij të tretë në Prishtinë, Clinton deklaroi se ndihej krenar që ishte president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kohën e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë. Ish-presidenti i dhe ish-sekretarja Albright janë të ftuarit e nderit në një ceremoni madhështore që ka bërë bashkë edhe shumë personalitete të njohura dhe udhëheqës të rajonit.

Thaci dhe ish-presidenti Bill Clinton

“Kosova meriton të jetë në Bashkimin Europian, në NATO dhe në çdo organizatë ndërkombëtare si vend i lirë e i pavarur”, tha ish-presidenti amerikan pas një takimi me kreun e shteti të Kosovës, zotin Hashim Thaçi.

Thaçi e dekoroi ish-presidentin amerikan me “Urdhrin e Lirisë” për merita të veçanta.

“Isha i lumtur që pasardhësi im, presidenti George W.Bush njohu Kosovën, besoj vetëm një ditë pasi ju e shpallët pavarësinë”, tha Clinton.

"Gjithmonë do të jem krenar me faktin se isha president në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngrihej dhe të ndalonte spastrimin etnik, përndjekjen e njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe vrasjen e civilëve të pafajshëm", tha Clinton.

Haradinaj dhe ish-presidenti Bill Clinton

Ai deklaroi se jo vetëm SHBA-ja, por e gjithë bota duhet të jetë krenare me arritjet e Kosovë, me demokracinë e saj dhe me shtetndërtimin e saj. Clinton inkurajoi liderët e Kosovës që tani të ndërtojnë paqe edhe brenda e jashtë kufijve të Kosovës për dëshmuar se është shtet demokratik.

Nga ana tjetër presidenti Thaçi tha se Clintoni është heroi i Kosovës dhe se Prishtina nuk do të jetë kurrë në gjendje ta falenderojë për vendimin historik të vitit 1999 për ndërhyrjen e NATO-s dhe për çlirimin e Kosovës.

"Ju jeni heroi ynë dhe ju falënderoj shumë-shumë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Prandaj, duke u bazuar në kompetencat e mia si president i Kosovës, por edhe si mik juaji sot do të ndaj çmimin në emër të institucioneve dhe të popullit të Kosovës ‘Urdhrin e Lirisë’. Nuk ka çmim që mund ta shpërblejë atë kontribut tuajin, sepse dekorimi më i madh është liria e Kosovës", tha Thaçi.


Thaci dhe ish-presidenti Bill Clinton

Pas Thacit, ish-presidentin amerikan u takua me kryeministrin Kosovës Ramush Haradinaj, i cili e ka falënderuar për ndihmën e vyer të SHBA-së gjatë luftës me Serbinë. Haradinaj ka thënë se falë vendosmërisë së presidentit Clinton u bë realitet ëndrra e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë dhe në demokraci.

“Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe te populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj ne bëmë realitet të drejtën tonë për liri dhe për demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Haradinaj shkruan se hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë ka qenë një kthesë historike, që rezultoi që i dha jetë shtetit të Kosovës. “Falë kësaj kthese historike fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën. President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe për popullin tuaj!”, ka përfunduar Haradinaj.

Përpos ish-presidentit Bill Clinton, të martën në Kosovë ka arritur edhe amerikania më e dashur e shqiptarëve të Kosovës, ish-sekretarja e shtetit Madelenie Albright. Ajo është pritur në aeroportin “Adem Jashari” nga ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Thaci dhe ish-sekretarja Madeleine Albright

Ajo është nderuar me çmimin “Urdhri i Lirisë”, nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Duke vlerësuar kontributin e Albright, presidenti Thaçi tha se ajo arriti që të bënte bashkë shtete të ndryshme të botës për të ndaluar vrasjet dhe largimin me dhunë të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.

“Jemi të bekuar që edhe presidenti Klinton edhe ju si Sekretare e Shtetit edhe pas njëzetë vitesh jeni rikthyer në shtëpinë tuaj, në familjen tuaj për të uruar dhe festuar bashkërisht 20 vjetorin e lirisë së Kosovës, 20 vjetorin e shpresës dhe besimit të njerëzve të vendit që lidhet drejtpërsëdrejti me kontributin tuaj personal që keni ditur të bashkoni botën demokratike për Kosovën, për të drejtën e qytetarëve të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Ndërkohë, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, tha se SHBA-ja ka bërë gjënë e duhur kur arriti që të ndihmonte popullin e Kosovës që të jenë të lirë.

“Nuk do të harroj kurrë vizitën time të parë në Prishtinë, menjëherë pas përfundimit të luftës. Turmat ishin shumë të mëdha dhe gjithkund kishte pankarta që lexonin: “Faleminderit USA”. Mendoj se SHBA-të bënë gjënë e duhur”, deklaroi Albright.

Ish-sekretarja Albright, Clinton, Haradinaj, Thaçi dhe dy ish-presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga u mblodhën së bashku në një darkë ceremoniale për të diskutuar për të ardhmen e Kosovës.

Presidenti Thaçi ka nderuar po ashtu me medaljen “Urdhri i Lirisë”, ish-komandantin e forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark.

Hashim Thaci dhe ish-komandanti i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark.

Presidenti Thaçi tha se gjenerali amerikan ka dhënë një kontribut të madh në çlirimin e Kosovës dhe largimin e regjimit të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.
“Në çdo mjedis keni qenë objekt i bisedës së vlerësimit më të lartë për rolin historik që e keni treguar për lidershipin e guximshëm dhe vendimtar që diktatori Millosheviq të largohet”, deklaroi presidenti Thaçi.

Gjenerali amerikan Clark tha se Kosova do të ketë një të ardhme të ndritshme. “E di që e ardhmja juaj do të jetë e ndritshme sepse qytetarët e Kosovës e kanë kurajon dhe guximin që të marrin vendimet e drejta, ju keni drejtuar shtetin tuaj drejt perëndimit dhe perëndimi do të vlerësojë shtetin tuaj”, deklaroi gjenerali Clark. Ai ishte komandant i forcave aleate të NATO-s, në vitin 1999, kur aleanca filloi bombardimin e bazave ushtarake serbe për 78 ditë rresht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë