Lajme

Cilësi e dobët, bllokohen 550 tonë naftë në Ballsh

Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial bllokoi 550 tonë naftë në rafinerinë e Ballshit për mosplotësim dhe shmangie të standardeve minimale të cilësisë për t’u hedhur në treg.

IKShTI ka urdhëruar ripërpunimin e naftës në fjalë deri në plotësimin e standardeve cilësore që kërkohen nga ligji dhe më pas hedhjen e saj në treg. Aksioni është inspektuar edhe nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe kreu i Inspektoriatit, Admir Abrija.

Balluku e vuri theksin tek aksioni antiinformalitet, ndërsa kreu i Inspektoriatit, Admir Abrija premtoi se në shtator kontrollet do të jenë edhe më shumë teknike.

Një ditë më parë, “Konfindustria Shqiptare” doli me një deklaratë ku kritikonte qeverinë për shtyrjen e aksionit të kontrollit të cilësisë së karburanteve për në muajin shtator. Sipas “Konfederatës”, këto kontrolle janë detyrë e përditshme ligjore e institucioneve përkatëse dhe shtyrja e këtyre kontrolleve dëmton xhepin e qytetarëve, mjedisin dhe vetë seriozitetin e aksionit antiinformalitet të qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë