Futboll

Cikalleshi zgjidh ndeshjen në Turqi me gol dhe asist, Balliu ndal Barcelonën

Gazeta Si – Pas Myrto Uzunit në Spanjë një ditë më parë, sot ishte radha e Sokol Cikalleshit të ishte protagonist në Turqi me klubin e tij. Sulmuesi i Kombëtares i dha fitoren Koniasporit në ndeshjen me Kasimpasha, edhe pse u fut si zëvendësues.

Cikalleshi feston një gol me Kombëtaren. Gazeta Si, 25 nentor 2023

Kavajasi zhbllokoi rezultatin vetëm 4 minuta pasi hyri në fushë, duke çuar në rrjetë një top të krosuar nga e majta. Më pas Cikalleshi dha pasimin për golin e dytë të Koniasporit, që ka gjetur kështu fitoren 2-0 pas një serie rezultatesh negative, që e pozicionojnë në vend të 15-të.

Pozitive ishte kjo e shtunë edhe për mbrojtësin Ivan Balliu, që me Rajo Valekanon e tij arriti të ndalë një emër të madh të futbollit spanjoll, si Barcelona. Ndeshja përfundoi në barazim, 1-1, me katalanasit që barazuan në minutat e fundit falë një autogoli.

Balliu ishte titullar në ndeshjen ndaj ekipit ku është rritur, që e luajti të plotë dhe ishte ndër më të mirët për skuadrën e tij. Mbrojtësi i djathtë vetëm pak ditë më parë luajti titullar edhe me kuqezinjtë në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë