Opinion

Çifti Rama-Basha, “kumbarët”e një elite të re politike

Në fjalimin e gjatë të së shtunës para delegatëve demokratë, Lulzim Basha bëri thirrje për domosdoshmërinë e një brezi të ri politik dhe kalimin e politikës në duart e një elite të re.

Që prej 2005, ai është pjesë e majës në politikën shqiptare, ka qen ministër i rëndësishëm në pushtet dhe tani kryetar i opozitës dhe nëse flet një tjetër elitë të re, Basha nuk sqaroi se cili do të jetë roli i tij. Thirrja se “Detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re”, herë ngjan si një amanet i një brezi të vjetër dhe herë se kauza e re e një brezi të ri elite, sikur dëgjon dy Basha brenda të njëjtës qenie politike, të riun dhe të vjetrin.

Në dukje pak më ndryshe, të njëjtën gjë bën edhe Kryeministri Rama. Këto ditë të protestës ai thotë “jam student” dhe iu thërret të rinjve që “hajd të ndryshojmë gjërat bashkë”. Rama është politikani më jetëgjatë në pushtet që prej vitit 1998 dhe sot ai është Kryeministri i vendit që ka ende në dorë të zgjidh problemet. Por jo, sot në trysninë e merituar të protestës, ai rri në karrigen e Kryeministrit dhe sillet si student. Siç duket, edhe ai, edhe Basha, të dy nga karrigia e elitës së vjetër duan që po ata të projektojnë të renë.

Nëse fjalimi i kreut të PD-së do të ishte mbajtur në një kohë tjetër, pa protesta e studentëve nëpër këmbë, ndoshta askush nuk dot fliste për elita të reja. Edhe Rama nuk do të duhej të qeveriste me meme për thirrje për dialog. Biologjikisht Rama dhe Basha janë të rinj, por të vjetër në poltikë.

Këto kriza identiteti politike në dukje, herë të rinj, e herë të vjetër mes dy liderëve e kanë një siklet. Ajo është protesta e studentëvee që po reziston e pastër pa një udhëheqës dhe pa një grup udhëheqësish, edhe pse është trazuar shpesh për t’u kapur.

Rama e Basha ndihen të përjashtuar nga e ardhmja ndaj kanë vendosur të shfaqen me staturë tjetër. Por problemi qëndron se të dy duan të marrin, ose të mbajnë pushtetin, por të dy nuk mbajnë përgjegjësi për ato që kanë kaluar. Të dy mezi i artikulojnë , edhe kur kjo ndodh janë të detyruar, të pranojnë fajin e udhëheqjes së shkuar. Mundohen ta gjejnë fajin dikur tjetër. Ata kanë frikë se elita të tjera do të lindin jashtë vathës së tyre politike ndaj thërrasin për të krijimin e elitës së re, për të qenë po ata kumbarët. Por nëse kjo ndodh a është kjo rruga?. Studentët nuk mund ta bëjnë të krijojnë dot vetëm elitën e re politike  vetëm, por atëherë kush?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë