Futboll

Champions/ Vllaznia kalon në finale, fiton me 4 gola ‘derbin’ shqiptar me Hajvalinë

Gazeta Si – Vllaznia e futbollit të femrave ka kaluar pengesën e parë të raundit të parë në Ligën e Kampionëve. Vajzat kuqeblu kanë mundur Hajvalinë 4-2 në gjysmëfinalen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në finale vajzat e drejtuara nga trajneri Haris Lika do të ndeshen me kampionet e Islandës, Valur, që mundi 2-1 kampionet e Turqisë, Fomget GSK. Akti final do të luhet më 9 shtator po në Shkodër, ku Vllaznia ka shanse të mëdha për fitore. Nëse fiton dhe finalen, Vllaznia shkon pastaj në Play-off, pengesa e fundit për tës shkuar sërish në grupe.

Gresa Berisha feston nje nga golat ndaj Hajvalise. Gazeta Si, 6 shtator 2023

Lojtarja e ndeshjes së sotme mes Vllaznisë dhe Hajvalisë ishte një kosovare, Gresa Berisha. Ishte ajo që hapi dhe mbylli sërinë e golave për skuadrën shkodrane. Golat e tjerë për kampionet e Shqipërisë mbajnë firmën e Luçije Gjinit dhe Maria Bashkës. Për skudrën kosovare shënuan Misini dhe Mahmuti.

Një sukses i pritshëm ky për Vllazninë, skuadrën që po dominon futbollin e femrave në vend dhe që sezonin e kaluar shkoi në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Një arritje historike, ku vajzat kuqeblu patën shansin të përballeshin me klube me emër, si Real Madrid, Çelsi dhe PSG.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë