Futboll

Champions/ Starton sot faza e grupeve, Mançester Siti favorit për të bërë bis

Gazeta Si – Skena për futbollin e madh. Liga e Kampionëve starton sot fazën e grupeve, me përballje mjaft interesante. Sipas parashikimit të Opta-s, skuadra e Guardiolës ka mundësitë më të mëdha për të ngritur në qiellin e ‘Wembley’-t trofeun për herë të dytë radhazi. Më pas vijnë Bajern Mynih dhe Arsenal.

Kampionët në fuqi të Mançester Sitit janë kandidatët kryesorë për të fituar sërish kupën me veshë të mëdhenj. ‘Qytetarët’, sipas Opta-s, janë favoritë me 38.9% mundësi, kurse Bajern Mynih me 10.9% dhe Arsenali me 8.7% janë rivalët më të akredituar për t’u rrëmbyer titullin djemve të Guardiolës.

Pastaj vjen Real Madrid me 6% mundësi dhe dy skuadra italiane: Interi finalist i edicionit të fundit me 5.7% mundësi dhe Napoli me 4.3%.

Milani renditet ‘vetëm’ në vend të 15-të të këtij klasifikimi special me 1.3% mundësi fitimi të Championsit të 8-të në historinë e tij. Të pakta janë mundësitë edhe të tri skuadrave që janë në të njëjtin grup me Milanin, Njukastëlli 1,6%, PSG 1.4% dhe Borusia Dortmund me 1.3%.

Ndryshon situata për kalimin e mundshëm në çerekfinale: Interi dhe Napoli kanë respektivisht 46.5% dhe 42.4% mundësi, kurse Milani 23.5%. Skuadra e Piolit pret sot Njukastëllin e Tonali, në një ndeshje ku duhet të reagojë pas humbjes turpëruese në derbi.

Mançester Siti luan me Crvena Zvezdën në një ndeshje që parashikohet të jetë e lehtë. Barcelona pret Antverp të Arbnor Mujës dhe Lacio e Hysajt përballet me Atletiko Madrid.

Liga e Kampionëve, faza në grupe
Sot, ora 18:45
Milan-Njukastëll
Jang Bojs-Lejpcig
Ora 21:00
Barcelona-Antverp
Fejnord-Selltil
Lacio-Atl.Madrid
Mançester Siti-Crvena Zvezda
PSG-B.Dortmund
Shakhtar-Porto


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë