Futboll

Champions/ Shëtitje për Juven dhe Barcelonën, PSG bën goditjen në Angli

Një shëtitje mund të konsiderohen ndeshjet e pesta në grup për Juventusin dhe Barcelonën, që kanë mundur me lehtësi përkatësisht Dinamon e Kievit dhe Ferencvaroshin me të njëjtin rezultat, 3-0. Katalanasit udhëheqin grupin me 15 pikë, të ndjekur nga Juventusi me 12 pikë, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur.

Juventusi-Dinamo Kiev hyri në histori për faktin se për herë të parë në Champions ka gjykuar një femër, francezja Stefani Frapart, e cila e kaloi me sukses provën. Kristiano Ronaldo arriti një tjetër rekord, shënoi golin e 750 në karrierë. Golat e tjerë për bardhezinjtë u shënuan nga Morata dhe Kieza, ndërsa trajneri Andrea Pirlo u shpreh i kënaqur pas ndeshjes.

Stefani Frapart, femra e parë në historio që gjykon në Champions. Gazeta Si, 2 dhjetor 2020

Myrto Uzuni nuk arriti të linte shenjë në ndeshjen e sotme me Barcelonën, që edhe pse pa Mesin, e zgjidhi gjithçka në pjesën e parë gjithçka, teksa për 14 minuta shënoi 3 gola me Grizman, Brathuajt dhe Dembele. Futbollisti beratas i Kombëtares, që javën e kaluar i shënoi Juventusit, luajti deri në minutën e 70-të.

Nejmar feston një gol të shënuar ndaj Mançester Junajtid. Gazeta Si, 2 dhjetor 2020

Në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja e PSG-së në fushën e Mançester Junajtid, 1-3. Brazilianët Nejmar (2 gola) dhe Markuinjos i dhanë fitoren skuadrës franceze, që tashmë është ngjitur e dyta në grup. Mançesteri vazhdon të kryesojë edhe pas kësaj humbjeje, me 9 pikë, po aq sa kanë edhe PSG dhe Lajpcig, kështu që gjithçka do të zgjidhet javën e ardhshme në ndeshjet e fundit.

Bie në sy po ashtu fitorja e thellë e Çelsit, 0-4, në fushën e Seviljes, ku të katër golat për ekipin anglez u shënuan nga sulmuesi francez, Zhiru. Lacio barazoi 1-1 në Dortmund dhe tashmë i duhet vetëm 1 pikë në ndeshjen e fundit që të kualifikohet. Strakosha qëndroi në stol, pasi trajneri Inzagi zgjodhi Reinën titullar në këtë ndeshje. Në stol ishte edhe portieri tjetër shqiptar, Marko Alia.

Rezultatet e ndeshjeve të 5-ta në grup
Bashakshehir-Lajpcig 3-4
Krasnodar-Renes 1-0
Bryzh-Zenit 3-0
B.Dortmund-Lacio 1-1
Ferencvarosh-Barcelona 0-3
Juventus-Dinamo Kiev 3-0
Mançester U.-PSG 1-3
Sevilja-Çelsi 0-4


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë