Futboll

Champions/ Përcaktohet sot finalisti i parë, Siti një hap larg Stambollit

Do të jetë një mbrëmje spektakolare. Mbrëmjen e sotme përcaktohet ekipi i parë finalist i Ligës së Kampionëve. Në gjysmëfinalen e kthimit, Mançester Siti niset favorit absolut ndaj PSG-së, pas fitores 1-2 në Francë. Skuadra e Guardiolës është një hap larg finales së Stambollit.

Pep Guardiola synon finalen e parë në historinë e klubit anglez, ndërsa në anën tjetër, Poketino duhet të bëjë llogaritë me problemet fizike të Kilian Mbape. Trajneri argjentinas ëndërron një tjetër finale, pas asaj që humbi në 2019-ën në krye të Totenhemit.

Nga ndeshja e parë mes PSG-së dhe Mançester Sitit. Gazeta Si, 4 maj 2021

Pas humbjes në finalen e vitit të kaluar, PSG nuk dëshiron të mungojë as këtë herë në aktin e fundit, ndaj dhe është përgatitur për përmbysjen, duke shpresuar se do të ketë Kilian Mbape në fushë. “Jam i shqetësuar për të”, - ka thënë në konferencë shtypi trajneri Poketino, por sulmuesi duhet të shtrëngojë dhëmbët. Ai pritet të luajë si sulmuesi i avancuar, i mbështetur nga Di Maria, Draksler dhe Nejmar. Në skemën 4-2-3-1 të francezëve, Florenci, Markuinjos, Kimpembe dhe Dialo plotësojnë mbrojtjen, kurse Verrati dhe Paredes do të jenë në qendër të mesfushës.

Guardiola do t’i besojë skemës 4-3-3, me mbrojtjen të përbërë nga Uollkër, Ruben Dias, Stons dhe Zinçenko. Rodri do të jetë në qendër të mesfushës, në krahë De Bryjne dhe Gundogan, kurse në sulm duhet të luajë Foden në qendër të një tredhëmbëshi, që kompletohet me Bernardo Silvën dhe Mahrez.

Formacionet e mundshme
Mançester Siti (4-3-3): Ederson; Uollkër, Ruben Dias, Stons, Zinçenko; De Bryjne, Rodri, Gundogan; Bernardo Silva, Foden, Mahrez.
PSG (4-2-3-1): Navas; Florenci, Markuinjos, Kimpembe, Dialo; Verrati, Paredes; Di Maria, Draksler, Nejmar; Mbape.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë