Futboll

Champions League, PAOK-u i Enea Mihajt eliminon Benfikën

Tri ndeshje dhe tre verdikte: Dinamo Kiev, PAOK dhe Genti kalojnë turin e tretë eliminator dhe shkojnë në “Play-off”-in e Champions League, që është pengesa e fundit para fazës në grupe.

Dinamo Kiev mundi 2-0 holandezët e AZ Almarit, me gola të Gerson Rodrigues dhe Shaparenko. Skuadra e trajnerit Mirçea Luçesku, pasi fitoi Superkupën e Ukrainës, ka kaluar edhe këtë tur, duke eliminuar një kundërshtar të fortë si AZ Alkmari. Tani Dinamo Kiev do të sfidojë Gentin në “Play off”, ku kualifikimi vendoset në dy ndeshje, që luhen më 22 dhe 30 shtator.

PAOK-u feston një nga golat ndaj Benfikës. Gazeta Si, 16 shtator 2020

Goditjen e madhe e ka bërë PAOK-u i Enea Mihajt, duke mundur 2-1 Benfikën në Selanik. Një arritje kjo për skuadrën greke. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, kur Janulis zhbllokoi rezultatin, më pas dyfishoi Zivkoviç, ndërsa portugezët shënuan golin e vetëm në shtesë dhe tani e shohin veten jashtë Championsit. Mihaj ishte në stol dhe nuk luajti as si zëvendësues në këtë ndeshje. Tani grekët ndeshen me rusët e Krasnodarit. U kualifikua edhe Genti, që mundi 2-1 në shtëpi Rapidin e Vjenës.

Sot luhen 5 ndeshjet e tjera të turit të tretë të Championsit. Omonia Nikosia pret Crvena Zvezdën, skuadrën që eliminoi Tiranën, Ferencvaroshi i Uzunit përballet me Dinamo Zagrebin, Makabi Tel Aviv me Dinamo Brest, Karabagu me Molden dhe Midtjyland me Jang Bojs. Kualifikimi vendoset me tek ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë