Futboll

Champions/ Krasnodar dhe Salcburg një hap larg grupeve, sot radha e Uzunit

Luhet akti i fundit paraeliminator i Ligës së Kampionëve, ku ndryshe nga turet e mëparshme, skuadrat që shkojnë në fazën e grupeve, vendosen nga dy ndeshje, vajtje-ardhje. Tri ndeshje janë luajtur dje në mbrëmje, ku Salcburgu dhe Krasnodari kanë fituar me përmbysje ndaj Makabit Tel Aviv dhe PAOK-ut, me rezultatin 2-1, duke qenë kështu vetëm një hap larg grupeve. Sfida tjetër, Sllavia Pragë-Midtjyland, përfundoi në barazim, 0-0.

PAOK-u i Mihajt (gjithë ndeshjen në stol) kishte shansin ta niste me gol ndeshje në Rusi ndaj Krasnodarit, por Pelkas gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Megjithatë, sulmuesi grek do të gjente golin në minutën e 33-të. Rustë zgjohen dhe barazojnë me Klaeson me penallti. Goli i fitores për Krasnodarin vjen në pjesën e dytë nga Remi Kabela dhe tashmë ekipi rus është pranë kualifikimit historik në grupet e Ligës së Kampionëve.

E njëjta histori edhe në Izrael, ku Makabi kaloi në avantazh me Biton, por austriakët e Salcburgut reagojnë mirë dhe përmbysin gjithçka me 2 gola. Dominik Szoboszlai shndëron në gol një penallti e më pas Okugaua shënon edhe të dytin. Sllavia e Pragës dhe Midtjyland kanë luajtur me shumë kujdes dhe kanë barazuar pa gola, duke e lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në Danimarkë.

Uzuni feston kualifikimin e Ferencvaroshit ndaj Dinamo Zagrebit. Gazeta Si, 23 shtator 2020

Sot zbret në fushë Frencvaroshi i Myrto Uzunit, që pasi nxori jashtë loje Selltikun dhe Dinamon e Zagrebit, synon të bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj norvegjezëve të Moldes. Lojtari beratas i Kombëtares pritet të jetë titullar. Po sot luhen edhe Gent-Dinamo Kiev dhe Olimpiakos-Omonia Nikosia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë