Futboll

Champions/ Juve për të mbyllur llogaritë, Uzuni përballë idhullit Ronaldo

Juventusi fitoi 1-4 në Hungari ndaj Ferencvaroshit, ndërsa sot, me një tjetër fitore në fushën e tij do të siguronte kalimin e grupit para se të luhen dy ndeshjet e fundit. Sigurisht, bardhezinjtë, duan t’i mbyllin llogaritë e kualifikimit që sot.

Juventusi mban vendin e dytë në grup, me 3 pikë më pak se Barcelona kryesuese, por kanë 5 pikë avantazh nga Ferencvaroshi dhe Dinamo e Kievit. Në ndeshjen e parë ndaj hungarezëve fitoi thellë, 1-4, me gola të Moratës (2), Dibalës dhe autogolit të Dvalit, kurse Boli realizoi golin e nderit për skuadrën e trajnerit Sergej Rebrov. Trajneri Andrea Pirlo ka probleme në mbrojtje, ku mungojnë Bonuçi, Kielini dhe Demiral, por nuk mendohet të ketë probleme të mëdha sot.

Nga ndeshja e parë mes Ferencvaroshit dhe Juventusit. Gazeta Si, 24 nëntor 2020

Në ndeshjen e parë, Myrto Uzuni, sulmuesin i Kombëtares shqiptare, luajti 10 minutat e fundit, pasi sapo kishte kaluar karantinën për shkak të Covid-19. Beratasi pritet të jetë sot në fushë nga minuta e parë dhe do të ketë mundësinë të sfidojë idhullin e tij, Kristiano Ronaldon. Uzuni humbi gjithashtu edhe ndeshjen në “Camp Nou” për të njëjtën arsye. Trajneri Rebrov disa herë ka thënë se skuadra e ndjen mungesën e futbollistit shqiptar. Edhe sportdashësit shqiptarë sot në mbrëmje do të bëjnë pak tifo për Uzunin.

Nga ndeshjet e tjera të Ligës së Kampionëve që luhet sot, spikat PSG-Lajpcig, ku francezëve u duhet patjetër fitorja për të mbetur në garë për kualifikimin, pasi deri tani kanë zhgënjyer me dy humbje. Lacio pret Zenitin dhe ka mundësi të sigurojë kualifikimin me një fitore të mundshme. Çelsi luan në fushën e Renes, kurse Barcelona në fushën e Dinamos së Kievit.

Ndeshjet e sotme në Champions
Ora 18:55
Krasnodar-Sevilja
Renes-Çelsi
Ora 21:00
B.Dortmund-Bryzh
D.Kiev-Barcelona
Juventus-Ferencvarosh
Lacio-Zenit
Mançester U.-Bashakshehir
PSG-Lajpcig


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë