Nuk kanë munguar surprizat në ndeshjet e radhës të turneut “International Champions Cup”. Në përballjet e mëngjesit të së mërkurës, skuadrat angleze, Totenham dhe Mançester Junajtid kanë dominuar përballë Real Madrid dhe Milan. Por surprizën e bukur e ka bërë Roma, e cila ka ruajtur traditën duke e mposhtur edhe në miqësore Barcelonën në shifrat 4-2.
Skuadra romane duket sikur është hakmarrë ndaj klubit katalanas për atë që ndodhi vetëm disa ditë më parë, ku në minutat e fundit, Malkom ndryshoi destinacionin e transferimit nga kryeqyteti italian në Katalonjë. Talenti brazilian ka qenë në fushë madje ka shënuar, por nuk ka mundur dot ta evitojë humbjen e ekipit të tij.
Për Romën në këtë ndeshje shkëlqyen Peroti dhe El Sharaui, dy emra që në ditët e fundit janë përfolur për një largim të mundshëm nga klubi verdhekuq. Presidenti i romanëve, Palota pas ndeshjes, deklaroi se kjo është skuadra të cilën ai ka kërkuar gjithmonë dhe për të cilën po punon çdo ditë. Ai tha se është shumë e rëndësishme ajo që jepet në fushë dhe jo vlera se sa blihesh në tregun e merkatos, duke thumbuar talentin brazilian.
Ndërkohë italiania tjetër që ka zbritur në fushë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës ka qenë Milan, që u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga Totenhham. Kuqezinjtë, kanë treguar nivel të kënaqshëm, por në fund ka triumfuar supermacia fizike e anglezëve që duket se janë më përpara me përgatitjet para sezonale.
Në orën 02:00 të mëngjesit të mërkurës janë vënë përballë me njëra tjetrën dy klubet më të pasura për momentin, Mançester Junajtid dhe Real Madrid. Duelin e kanë fituar britanikët në shifrat 2-1, por vlen të përmendet se spanjollët ishin me një ekip të ri, pasi janë duke provuar skema të reja, pas mini revolucionit që skuadra po kalon këtë verë me largimet e Zidan dhe Ronaldo.
Të mërkurën në mbrëmje do të luhen edhe dy ndeshjet e tjera të vlefshme për “Internacional Champions Cup”, Arsenal-Çelësi dhe Benfika-Lion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.