Futboll

Barça rikthehet frikshëm, Lazio bën surprizën. United fiton me vuajtje

Janë mbyllur gjashtë sfidat e orës 21:00 në Champions League, të vlefshme për raundin e parë të fazës së grupeve. Barcelona ka triumfuar pastër me rezultatin 5-1 kundër Ferencvaros, falë golave të Messit, talentit Fati, Coutinho, Dembele dhe Pedri. Goli i vetëm për miqtë u shënua nga Kharatin, me penallti pasi Gerrard Pique pengon sulmuesin e ekipit hungarez brenda zonës duke shkaktuar 11-të metërsh dhe duke u ndëshkuar edhe me karton të kuq.

Lazio ka triumfuar 3-1 në Itali përballë Dortmund, ku protagonist ishte Immobile. Italiani realizoi në minutën e gjashtë, teksa Luiz Felipe detyroi verdhezinjtë të nxirrnin topin nga rrjeta për herë të dytë në minutën e 23'. Haaland ngushtoi diferencat në 2-1, por vetëm pas 5 minutash, Akpa do të realizonte golin e parë bardhekaltër. Debuton dhe Muriqi në minutën e 67′.

PSG-Manchester United ishte një nga përballjet më të forta të mbrëmjes së sotme në Champions League, ku miqtë fituan me rezultatin 1-2. Goli i parë u shënua nga një penallti me anë të Anthony Martial në mesin e pjesës së parë, por goditja e Bruno Fernandes u prit nga Keylor Navas. Gjithsesi, festa e francezëve zgjati pak. Arbitri vendosi që penalltia të përsëritej dhe mesfushori portugez nuk gaboi sërish. Francezët barazuan pas një krosimi të Neymar në minutën e 55′. Goditja e këndit e brazilianit ishte e parrezikshme por Martial gaboi duke e çuar në rrjetë. Në fund të ndeshjes, Rashford shënon golin e fitores.

Sfida mes Chelsea dhe Sevilla u mbyll në barazim 0-0, ndërsa Rennes barazoi përballë Krasnodar, me rezultatin 1-1. Ekipi i  Leipzig ka mposhtur me lehtësi 2-0 kampionët e Turqisë, Instanbul Basaksehir. Njeriu i ndeshjes ishte padyshim Angelino, i cili realizoi një eurogol në minutën e 16′ me një veprim fantastik brenda zonës. Goli i dytë erdhi 4 minuta më pas, sërish me të njëjtin autor.

Rezultatet:

Barcelona-Ferencvarosh 5-1

Chelsea-Sevilla 0-0

Lazio-Dortmund 3-1

PSG-Manchester United 1-2

Leipzig-Basaksehir 2-0

Rennes-Krasnodar 1-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë