Futboll

Champions/ Bajerni ‘i plagosur’ kërkon përmbysjen sot ndaj Lacios, në lojë çerekfinalet

Gazeta Si – Përcaktohen sot në mbrëmje dy skuadrat e para çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve, që do të dalin nga sfidat Bajern Mynih-Lacio dhe Real Sociedad-PSG. Vëmendja është më tepër te përballja e Mynihut, aq më tepër duke ditur momentin që po kalojnë bavarezët.

Me trajnerin Tuhel që do të largohet në verë dhe që nuk ka një raport të mirë me lojtarët, Bajerni do të tentojë përmbysjen ndaj Lacios. Italianët kanë fituar 1-0 ndeshjen e parë, falë një goli me penallti të Imobiles, por sot muzika me siguri do të ndryshojë.

Bajerni vjen me disa mungesa të rëndësishme, si Koman, Upamekano, Mazraui e ndonjë tjetër, por kalimi në çerekfinale është një detyrim për klubin e madh gjerman. Elseid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, pritet të jetë titullar në këtë ndeshje.

Për të inkurajuar Lacion para kësaj sfide ka folur edhe Igli Tare, ish-drejtori sportiv shqiptar i këtij klubi. Tare ka theksuar se Bajerni nuk është më ai i mëparshmi dhe se gaboi në ndeshjen e parë, duke e nënvlerësuar skuadrën e Sarrit.

Në ndeshjen tjetër që luhet sot, PSG shkon në fushën e Sociedad me fitoren 2-0 dy javë më parë. Futbolli është i paparashikueshëm, por është e qartë se në letër francezët janë favoritë për të kaluar në çerekfinale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë