Gazeta Si – Nëse Dritan Gjika është një nga figurat më të dukshme të mafies shqiptare në Ekuador, për një pjesë tjetër të tyre, dihet pak ose aspak.
Kjo për shkak se janë ekzekutuar nga grupe rivale apo janë hakmarrë dhe mes njëri-tjetrit për prishje të pazareve në trafikun e drogës.
Në fakt, arrestimi i Gjikës më 26 maj 2025, në Emiratet e Bashkuara Arabe konsiderohet si një goditje e madhe për krimin e organizuar.
48-vjeçari kishte dy njoftime të kuqe të Interpolit, dhe rrjeti i tij – i atribuar klanit ballkanik “Kompania Bello” – përfshinte një ekip të lartë drejtues, profesionistë të logjistikës dhe bashkëpunëtorë të përfshirë në pastrim parash dhe dërgesa kokaine.

Hetimet
Një nga bashkëpunëtorët kryesorë të tij, ishte kosovari Remzi Azemi. Ai u dyshua si i përfshirë për vrasjet e një shqiptari në 2017-ën dhe një shqiptari nga Mali i Zi me gjithë bashkëshorten e tij në vitin 2018.
Azemi u kap në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023 me një njoftim të kuq të lëshuar kundër tij për vrasjen e dyfishtë të vitit 2018 në lagjen “Casas Viejas” të Guajakilit, ku mbeti i vrarë 64-vjeçari Fadil Kacanic (Kaçaniku) dhe bashkëshortja e tij ekuadoriane. Prandaj, ai duhej të ekstradohej në Ekuador për të zbatuar një masë paraburgimi ndaj tij.
Nuk dihej publikisht nëse ai kishte mbërritur në Ekuador, por në prill të vitit 2024, avokati i tij njoftoi vdekjen e 42-vjeçarit kosovar nga një atak në zemër për shkak të dështimit të frymëmarrjes, ndërsa dyshohej se ai ndodhej në shtëpinë e tij në qendër të Guajakilit.
Katër vite para ngjarjes, në vitin 2014, Azemi u identifikua si kreu i trafikut të drogës për mafien shqiptare. Hetimet çuan në arrestimin e tij dhe më pas ai u la i lirë.
Vrasja e shqiptarit nga Mali i Zi dhe gruas së tij, të cilët u qëlluan për vdekje, nuk ishin rastet e vetme të anëtarëve të mafias shqiptare dhe ballkanike të vrarë në qytetin-port Guajakili.
Në fakt, që nga viti 2017 janë raportuar të paktën gjashtë incidente të dhunshme, në të cilat, sipas hetimeve, janë të lidhur me anëtarë të këtij rrjeti droge, të cilët kanë mbërritur në Ekuador.

Mafiozët shqiptarë të vrarë në Guajakili dhe lidhja e tyre
Një nga shqiptarët e parë të vrarë në Guajakili ishte Ilir Hidri në vitin 2017. Vrasësit e qëlluan me armë zjarri teksa ecte përgjatë “rrugës 36” midis C dhe Ch.
Nga hetimet u konstatua se Hidri ishte pjesë e mafies shqiptare, i përfshirë në trafikun e drogës. Policia konstatoi se një tjetër anëtar i të njëjtit rrjet, Remzi Azemi, ishte autori i sekuestrimit të pasurisë së viktimës.
Ky rast çoi në identifikimin e një gruaje si bashkëautore, e cila tashmë është e arratisur dhe arrestimin e shqiptarëve të tjerë: Adriatik Tresa dhe Shefit Zeneti, për armëmbajtje pa leje.
Dy muaj më vonë, në korrik 2017, Azemi ishte objektiv e një sulmi ku mbeti i plagosur, teksa po ngiste një makinë të blinduar luksoze në qendër të Guajakilit.
Adriatik Tresa u identifikua si një nga organizatorët e mundshëm të sulmit, për hakmarrje për vrasjen e partnerit të tij Hidri.
Në mars 2018, shqiptaro-malazezi Fadil Kacanic dhe partnerja e tij ekuadoriane, Elsa Gallegos Chacón, u vranë.
Ata u morën nga shtëpia e tyre në Ceibos në një operacion të rremë policor dhe u dërguan në një rrugë të vogël në bregdet, ku u lidhën sytë dhe u ekzekutuan.

Sipas policisë, kriminelët udhëtonin me tre automjete. Kacanic kishte lidhje familjare me Remzi Azemi, që sipas mediave ekuadoriane, të cilat i referohen hetimeve, ishte daja i kosovarit.
Fadil Kacanic ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2010 për trafik droge. Në vitin 2015 iu reduktua dënimi dhe më pas u pranua në një program rehabilitimi social dhe u lirua.
Në vitin 2020, në një tjetër operacion të rremë policor, shqiptari Adriatik Tresa u vra në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tij në një zonë rezidenciale në Samborondón.
Vrasësit përdorën pushkë dhe krimi, sipas policisë, ishte si hakmarrje për trafikun e drogës. Gjashtë persona u arrestuan, mes tyre edhe familjarë të shqiptarit.
Po atë vit, në Samborondón u vra edhe 56-vjeçari serb Sasa Spasic. Ai ishte në një qendër tregtare kur u qëllua. Policia gjeti para dhe dokumente për lidhje eksporti në shtëpinë e tij.

Ergys Dashi nga Durrësi, 34 vjeç mbeti i vrarë në Ekuador mbrëmjen e 22 janarit, i cili u ekzekutua brenda një restoranti në Guajakil, ku ekzekutori hyri brenda restorantit me një buqetë me lule. Ai pretendoi se kishte për të dorëzuar porosinë.
Dyshohet se vrasja e tij ka lidhje me trafikun e kokainës, ku besohet që Dashi të ketë pasur rolin e kujdestarit për ngarkesat e drogës nga Ekuadori në Europë.
Një vit më pas, në 2023-in, 53-vjeçari shqiptar Arjanit Rizaj u ekzekutua pasditen e 9 nëntorit, teksa qëndronte pranë një spitali në Guajakili. Ai po qëndronte brenda një makine në parkingun e spitalit, kur dy persona me motor i janë afruar dhe kanë qëlluar me pistoletë.

Autorët sipas dëshmitarëve okularë të cituar në disa media në Ekuador, janë larguar me shpejtësi, po me motor. Ndërsa policia thekson se ai u ekzektua me një armë të kalibrit 9 milimetër.
Disa metra larg makinës ndodhej bashkëshortja e 53-vjeçarit, që sipas raportimit të mediave të huaja kishte shkuar të vizitonte babanë e saj në ambientet e spitalit.
Gruaja e 53-vjeçarit shqiptar nuk ka dhënë asnjë indicie për motivet e ngjarjes, megjithëse mediat në Ekuador theksojnë se ngjarja ka ndodhur në të njëjtën ditë me arrestimin e Dritan Rexhepit në Turqi para ekstradimit në Shqipëri.
Kështu, krimet ekspozuan lidhjet e viktimave me mafien shqiptare. Gjatë hetimeve, Prokuroria nxori informacione nga telefonat e tyre, duke zbuluar biseda që kishin të bënin me grumbullimin e parave, transportin e drogës etj.
Rrethet shoqërore dhe zbarkimi në Ekuador
Prania e anëtarëve të mafies shqiptare në Ekuador u zbulua nga vrasjet e ndodhura që nga viti 2017. Megjithatë, policia kishte vënë në shënjestër trafikantët e drogës shumë kohë më parë.
Një oficer policie në Ekuador, i cili nuk donte të identifikohej, tha se shqiptarët kishin bërë udhëtime të herë pas hershme në vend që nga viti 2004.
Ardhja e tyre ishte për të konfirmuar blerjen dhe sekuestrimin e drogës. Më pas ata udhëtuan për në Kolumbi. Deri në vitin 2009, ata filluan të vendosen në Ekuador. Një shembull është Dritan Gjika.
Sipas ekspertit, shqiptarët e shihnin lehtësinë e emigrimit në Ekuador, falë, klimës dhe mungesës së mbikëqyrjes nga bankat dhe subjektet e tjera si një mënyrë për të filluar biznes.

Kështu, ata kanë mundur të ndërtojnë fasadën e biznesit të tyre. Gjika themeloi një duzinë kompanish që lidhen me ndërtimin, eksportet, bujqësinë dhe industri të tjera.
Oficeri tregoi se, nën maskën e biznesmenëve, shqiptarët filluan të shoqëroheshin me biznesmenë, ushtarakë, politikanë, oficerë policie, prokurorë, gjyqtarë dhe njerëz të tjerë me ndikim në Ekuador. Në sferën romantike, ata kërkuan kandidate të bukura si Miss-et vendase, si partnere apo bashkëshorte të tyre.
Ata u bënë edhe dashamirës të disa institucioneve. Sponsorizuan turne volejbolli dhe futbolli dhe ngjarje lokale, duke u bërë pjesë e komunitetit si “sipërmarrës bananesh”.
Tani që kishin njëfarë fuqie blerëse, sipas zyrtarit, shqiptarët investuan në fermat e karkalecave dhe biznese të tjera. Për të fshehur identitetin e tyre të vërtetë, ata filluan të përdornin zëdhënës.
Për Dritan Gjikën, i cili mund të ekstradohet në Ekuador, ka njerëz më të fuqishëm, paralajmëroi oficeri. Gjika besohet të jetë vetëm një pjesë e mafies shqiptare në rajon.

Eksperti
Eksperti i sigurisë, Kléber Carrión pohoi se mafia shqiptare është në një nivel tjetër. Ai tha se kanë më shumë parà dhe kanë qenë në tregun ilegal për një kohë të gjatë.
Carrión shpjegoi se fuqia e parasë i ka lejuar shqiptarët të kalojnë nga shtresa e mesme e ulët në nivelet e larta.
Kjo u ka mundësuar atyre të kenë kontakte edhe në qarqet politike. Gjika ishte i lidhur me Ruben Cherres -i vrarë në Santa Elena në 2023-në një hetim kundër Danilo C., kunati i ish-presidentit Gulliermo Lasso.
Për specialistin, mafia shqiptare nuk kopjon praktikat kriminale të grupeve kriminale në Amerikën Latine, por përvetëson mizorinë e mafies aziatike dhe asaj evropiane.

Lidhjet e dyshuara me policinë në Ekuador
Telefonat e shqiptarit Ilir Hidri – i vrarë në 2017 – dhe shqiptaro-malazezit Fadil Kacanic – i vrarë me gruan e tij në vitin 2018 – ekspozuan lidhjet e tyre me mafien shqiptare.
Bisedat që të dy burrat patën me të tjerët, kishin të bënin me fluturimet komerciale dhe dërgesat me kontejnerë me banane në Europë.
Por ka pasur edhe komunikime të dyshuara me pjesëtarë të Policisë Kombëtare të Ekuadorit, nga të cilët kanë kërkuar informacion për një agjent të caktuar.
Mafia shqiptare – në ato vite – kërkonte kontakte në Njësinë e Porteve dhe Aeroporteve (UIPA), në Njësinë Kundër Narkotikëve.
Imazhet që ata kishin në pajisjet e tyre përfshinin fotografi të kartëmonedhave, armë zjarri, thasë me drogë, imazhe brenda porteve dhe foto të pasaportave që u përkisnin të huajve nga Europa Lindore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.