Lajme

Foto-Video/ Vritet në restorant 34-vjeçari shqiptar në Ekuador, në pritje të pjatës mori disa plumba në kokë

Një 34-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Ergys Dashi me origjinë nga Durrësi u vra me armë zjarri në Ekuador në restorantin “Grilling”, në “Avenue José Joaquín Orrantia”, në veri të Guajakilit në Ekuador.

Sipas shtypit ekuadorian, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës në 22 janar rreth orës 19:00, kur dy persona mbërritën në ambientet e restorantit me një “Ford Explorer” ngjyrë të zezë.

Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar mbi 20 gëzhoja fishekësh të markës “Fame”, tip 9x19, sipas karakteristikave të dhëna nga hetuesit. Gjithashtu u konstatua se viktima ka marrë disa plumba në pjesën ballore të kokës.

Fillimisht nuk dihej identiteti i të ndjerit, por pas dërgimit të trupit të pajetë në Laboratorin e Kriminalistikës, u zbulua identiteti i tij dhe origjina nga Shqipëria.

Dashi kishte disa kohë që jetonte përkohësisht në Guajakil të Ekuadorit, ndërsa dyshohet se aktiviteti i tij në këtë shtet, ka qenë trafiku i lëndëve narkotike.

Ergys Dashi i ekzekutuar në një restorant në veri të Guajakilit në Ekuador

Autori me buqetë me lule qëlloi papritur

Njëri hyri me një buqetë me lule në dorë, ndërsa tjetri, i veshur me kapuç, qëndronte në derë me një armë në dorë. Punonjësit e restorantit thanë se vrasësi ka dashur të hyjë me pretekstin e dorëzimit të disa luleve, por ka kërcënuar një punonjës që i ka kërkuar kartën e vaksinimit para se ta linte të kalonte.

Pasi hyri, ai qëlloi Ergys Dashin, i cili po priste pjatën e tij për të ngrënë dhe ishte në shoqërinë e një burri tjetër që u zhduk nga vendi i ngjarjes. Ky i fundit reagoi ndaj vrasësve edhe pse nuk kishte armë, por ata e qëlluan edhe atë, por pa e lënduar fizikisht.

Viktima ishte ulur në fund të restorantit, i cili në atë kohë ishte plot. Kur filluan të shtënat, klientët filluan të vrapojnë të dëshpëruar. Disa arritën të largoheshin nga restoranti, të tjerët u hodhën në dysheme dhe u mbuluan derisa sulmi përfundoi.

Policia ekuadoriane në vendin e ngjarjes pas vrasjes së Ergys Dashit

Në vendngjarje u gjetën të paktën 28 ​​prova balistike të dy kalibrave. Dëshmitarët thanë se disa të shtëna erdhën edhe nga jashtë lokalit.

Teksa po largoheshin, autori i maskuar me kapuç qëlloi të paktën 20 të shtëna në drejtim të restorantit dhe më pas u largua me motoçikletë.

Një grua që ndodhej në lokal u qëllua në këmbë, thanë dëshmitarët. Ajo u dërgua në një spital aty pranë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Një ambulancë dhe zjarrfikësja mbërriti në restorant për t’i dhënë ndihmën shqiptarit, por mjekët konfirmuan vetëm vdekjen e tij, i cili kishte veshur pantallona të shkurtra të zeza dhe bluzë të së njëjtës ngjyrë.

Kush është viktima

Restoranti ku u vra shqiptari Ergys Dashi në Guajakili të Ekuadorit

Dashi në vitin 2014 është arrestuar nga policia italiane po për kultivim droge, si pjesë e një operacioni që çoi prapa hekurave 32 persona.

Trafiku i heroinës drejtohej nga shqiptari Ergys Dashi, në atë kohë vetëm 25 vjeç, i cili përfundoi pas hekurave pas një hetimi 3-vjeçar nga autoritete italiane në Pulia. Transporti i drogës, heroinë e cilësisë së shkëlqyer, bëhej përmes makinave të modifikuara.

Vitet e fundit disa shtetas shqiptarë janë ekzekutuar në Ekuador si të përfshirë në trafikun e kokainës. I fundit ka qenë Adriatik Tresa, i cili u vra pikërisht në Guajakili.

Ndërkohë që në burg në qelitë e këtij shteti, vijon të jetë Dritan Rexhepi, i cilësuar si kreu narko-trafikut nga Amerika Latine në Europë.

Mediat ekuadoriane raportojnë se deri më tani për këtë vit 2022, në Zonën 8 (Guayaquil, Durán dhe Samborondón), janë regjistruar 74 vdekje të dhunshme. Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë ishin 20 raste. Rritja është më shumë se 210%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë