Njerez

Çfarë u detyrohemi fëmijëve për gjithçka që hoqën dorë gjatë Covid-it?

Gjatë pandemisë Covid-19, prindërit u kërkuan fëmijëve të bënin sakrifica të jashtëzakonshme. Dhe ndërsa koronavirusi mori diçka nga të gjithë, pasojat kanë qenë veçanërisht të rënda për fëmijët. Ndërsa ka akoma momente që u kërkohet fëmijëve të kenë kujdes për shkak të virusit, është koha për të pyetur: Çfarë u detyrohen vendet fëmijëve për gjithçka që ata hoqën dorë?

Le të fillojmë me shkollën dhe vendimet për t'i mbajtur nxënësit dhe studentët larg nga shkolla për javë ose muaj. Këto politika u motivuan nga një përzierje e kujdesit me qëllim të mirë dhe politikave lokale. Por studiuesit tani po përcaktojnë ndikimin e edukimit në distancë dhe rezultatet janë të tmerrshme.

Një vit i zakonshëm shkollor përfshin 36 javë mësim. Nxënësit në shkollat ku kishte më shumë kufizime kaluan pothuajse 25 javë në 2020-2021 duke mësuar nga distanca, sipas një raporti të majit nga studiues në Universitetin e Harvardit.

Në vende të tjera kaluan 16 javë duke mësuar nga shtëpia.

Ndikimi tek nxënësit që u mbajtën jashtë klasës më gjatë është katastrofik.

Nxënësit në rrethet me varfëri të lartë në shtetet ku kishte shumë kufizime humbën ekuivalentin e 40 për qind të vlerës së të mësuarit të një viti. Studentët në rrethet më të pasura në ato shtete humbën ekuivalentin e 27 përqind të të mësuarit të një viti.

Rreth 1.2 milionë nxënës u larguan nga sistemi i shkollave publike midis 2020 dhe 2022. Shumë prej tyre tani ndjekin shkolla private ose shkollohen në shtëpi.

Efektet e shkollave të mbyllura shkojnë shumë përtej arsimit.

Ndërsa prindërit shmangnin zyrat e mjekëve dhe regjistrimet në shkolla ranë, më pak fëmijë u vaksinuan për fruthin, HPV dhe sëmundje të tjera. Ka shumë që ne ende nuk dimë për Covid-19 dhe rezultatet e tij afatgjata. Por, në procesin e mbrojtjes së fëmijëve dhe familjeve të tyre nga koronavirusi, ne i nënshtruam fëmijët ndaj rreziqeve të tjera shëndetësore.

Midis 2019 dhe 2021, pothuajse 9000 qendra të kujdesit për fëmijët dhe afro 7000 qendra ditore në Amerikë u mbyllën, disa përgjithmonë, sipas një vlerësimi nga shoqata tregtare dhe rrjeti i referimit Child Care Aware. Kjo është një rënie prej 9 për qind në numrin e qendrave, kur sistemi ishte tashmë në probleme. Çdo kopsht dhe qendër e mbyllur përfaqëson fëmijë, familjet e të cilëve duhej të përpiqeshin për të gjetur dikë, pavarësisht nëse kjo do të thoshte të paguanin më shumë apo të vendosnin që një prind (zakonisht nëna) duhej të largohej nga puna.

Hulumtimi mbi ndikimin e pandemisë në zhvillimin dhe sjelljen e fëmijëve të vegjël është ende në fazat e hershme, por raportet e deritanishme kanë treguar se fëmijët që kanë lindur gjatë pandemisë ose kanë qenë të vegjël në atë periudhë janë më të ngadaltë në ecje dhe bisedim, më të prirur për të reaguar keq dhe kanë vështirësi në shoqërimin me të tjerët.

Dhe kjo është vetëm një përmbledhje e ndikimeve më të matshme. Si mund t'i peshojmë efektet e një mature të humbur ose të një diplomimi virtual, takimet e para që nuk ishin kurrë, hapat e hershëm drejt pavarësisë tani të vonuara?

Shumë shpesh, debatet rreth mbylljes së shkollave dhe ndërhyrjeve të tjera pandemike që ranë rëndë mbi fëmijët dhe prindërit e tyre janë akuza të pavlefshme tani.

Zgjedhjet e politikave nuk janë të thjeshta, edhe nëse lëmë jashtë idetë “e shtrenjta”, të diskutueshme politikisht, siç janë investimet e mëdha në punësimin dhe trajnimin e mësuesve.

Thomas Kane, profesor në Harvard thotë se një zgjedhje e mirë do të ishte që të zgjaten dy vitet e ardhshme me nga gjashtë javë secila.

Mjerisht, disa fëmijë nuk do të marrin kurrë “shpërblimin” e duhur. Nxënësit që mbaruan shkollën e mesme gjatë pandemisë nuk do të mund të kompensojnë ato javë të humbura. Fëmijët e vegjël që mund të jenë vlerësuar për vonesa në zhvillim dhe në të folur, kanë humbur një dritare vendimtare dhe të parikuperueshme për ndërhyrjen e hershme.

Pastaj janë humbjet më të rënda: Një studim nga Imperial College London ka treguar se vetëm në Amerikë, 205.200 fëmijë kanë humbur njërin ose të dy prindërit për shkak të Covid-19.

Fëmijët kanë vuajtur jashtëzakonisht shumë, në shumë mënyra dhe ajo që nuk duhet të bëjë dikush është të thotë: Ok, le ti rikthehemi normalitetit tani.

*Shkruar nga Alyssa Rosenberg, gazetare në Washington post. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë