Keshilla

Çfarë të vesh sot? Sa kohë na merr nga jeta dyzimi para garderobës

Kanë një garderobë plot me veshje dhe sërish sa herë kur duhet të dalin nga shtëpia, qëndrojnë të dyzuara përpara veshjeve, duke u menduar se çfarë duhet të veshin dhe si të kombinohen. Dhe kjo gjë sipas studiuesve përkthehet në orë të tepërta të harxhuara kot. Zgjedhja e veshjeve të duhura për punë, për darka, festat e aktivitete të tjera duket se na merr afërsisht rreth një vit kohë nga jeta jonë.

Studiuesit kanë thënë se gratë shpenzojnë mesatarisht 16 minuta çdo mëngjes për të vendosur se çfarë duhet të veshin dhe rreth 14 minuta në një mëngjes të shtune apo të diele. Paketimi i valixhes për pushimet verore kërkon rreth 52 minuta kohë dhe një darkë a festë familjare 36 minuta. Mesatarisht femrat do të kalojnë 287 ditë përpara garderobës dhe veshjeve të tyre.

Nga studimi ka rezultuar se 62% e femrave vuajnë prej “mërzisë së garderobës”: kapriço të kota, bindje se nuk kanë atë se çfarë donin të vishnin, pavarësisht dollapit të tejmbushur, ku pjesa më e madhe e rrobave nuk vishen thuajse asnjëherë.
Një në njëzet të intervistuara ka pranuar se disa veshje mbajnë ende etiketën e blerjes.

Por kjo nuk është një dobësi që e kanë vetëm femrat.
Meshkujt, për të njëjtën arsye, humbasin çdo ditë 13 minuta kohë, ndërsa një në tre të intervistuar ka pranuar se vuan nga “mërzia e garderobës”, të paktën një herë në jetë.
Studimi është autorizuar nga kompania "Marks&Spencer", në bashkëpunim me Oxfam, për të nxitur njerëzit që të dhurojnë sendet e tyre të papërdorura. Thuajse nga të gjithë ne përdoren mesatarisht vetëm 44% e veshjeve që gjenden në dollap. Pjesa tjetër vetëm sa e bën kërkimin e rrobave në mëngjes më të ndërlikuar.
Sipas stilistes, Bay Garnett, ashtu siç shkruan ‘Daily Mail’, për të zgjedhur veshjen e duhur nuk nevojiten më shumë se dy minuta, ndërsa seleksionimi i shpeshtë i rrobave do t’jua bëjë zgjedhjen edhe më të thjeshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë