Treg

Çfarë qymyri në këmbim të grurit do të eksportojmë në Open Balkan kur ne nuk kemi?

Nga Gisela Troplini - Një ditë më parë, në Open Balkan u dakortësua që Serbia dhe Maqedonia e Veriut të heqin kufizimet mbi eksportin e gruri drejt Shqipërisë dhe në këmbim vendi ynë do të dërgojë qymyr për prodhim të energjisë elektrike, në të dyja vendet. I vetmi kusht në marrëveshjet e tregtisë brenda Open Balkan, është ndalimi i rishitjes së të njëjtit mall në një treg tjetër.

Lajmi u dha fillimisht nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe më pas nga zv.ministri i Energjisë, Ilir Bejtja, i cili theksoi se Serbia dhe Maqedonia kanë kërkuar qymyr dhe “ne kemi qymyr”.

Sipas statistikave zyrtare të sapo përditësuara të Drejtorisë së Doganave, Shqipëria nuk eksporton qymyr. Sepse nuk ka!

Ish-zëvendësministri i Energjisë në Shqipëri, Pajtim Bello, konfirmoi për Gazetasi.al se në vendin tonë nuk ka miniera të qymyrit që përdoret për krijimin e energjisë, pra ai i llojit linjit.   

“Shqipëria ka patur më herët, por tani janë mbyllur. Janë ish-miniera. Ndoshta e kanë patur për qymyr tjetër”, tha Bello për Gazetasi.al, duke shtuar se është i habitur nga ky vendim.

Ibrahim Milushi, Përgjegjës i Departamentit të Gjeologjisë në Institutin e Gjeoshkencave në vend, e quan "lajthitje" këtë vendim, duke treguar se burimet e qymyrit linjit në Shqipëri janë në kapacitete shumë të vogla dhe me fuqi shumë të vogël për prodhimin e energjisë elektrike.

“Kemi 20 herë më pak qymyr se sa Kosova dhe nuk mund të jemi kurrësesi vend eksportues i qymyrit. Nuk ka asnjë përfitim ekonomik”, -thotë eksperti Milushi për Gazetasi.al.

Ai shton se përveç burimeve minimaliste të qymyrit në vend, shumica e të cilave ndodhet në Tiranë, ka shumë vështirësi gjeologjike për shfrytëzimin e tyre dhe kosto të larta, në vlerë dhe mjedis.  

Studimi i Agjencisë së Burimeve Natyrore, në vitin 2019, përcakton se burimet e qymyrit në Shqipëri nuk janë të vlerësuara me veçoritë sasiore dhe cilësore, e për këtë duhet një studim. I njëjti, studim thekson se në të gjithë vendin janë 16 burime qymyri, të shfrytëzuara deri në vitin 1995.

Një vlerësim më i hershëm, i ministrisë së Energjisë në vend (2011), sqaron se burimet e qymyrit në vend, janë tepër të vogla, deri në prodhimin e 5 megavatorëve energji elektrike dhe tepër të varfra për t’u shfrytëzuar me leverdi.

“Në Memaliaj, vlerësohet se mund të nxirret deri në 120 mijë tonë në vit dhe fuqia kalorifike mesatare vlerësohet në 4.300 kkal për kilogram. Në burimin Vërdovë-Dardhas mund të prodhohet deri në 140 mijë tonë, por këtu fuqia kalorifike është edhe më e ulët, rreth 2.450 kkal/kg; vendburimi i Tiranës (Priskë-Mushqeta) me prodhim vjetor rreth 90 mijë tonë, fuqi kalorifike mesatare rreth 3.490 kkal/kg”,- shkruhet në Strategjinë Minerare të ministrisë.

Referuar studimeve, ish-zv.ministri Bello, thotë se nuk bëhet fjalë as për kapacitete të vogla, por për asgjë. Gjithsesi ai shton se duhet pritur për informacione më të detajuara nga vetë institucionet përgjegjëse për industrinë dhe marrëveshjen. 

Ministria e Energjisë i tha Gazetës “Si” se nuk ka ende detaje rreth marrëveshjes për eksportin e qymyrit që do të dërgohet në vendet e Open Balkan pasi grupi i punës është krijuar një ditë përpara marrëveshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë