Politike

Çfarë përmban propozimi francez me 5 pika për zgjidhjen e ngërçit Sofje-Shkup?

Një ditë para Samitit të BE-së, kreu i opozitës bullgare, Bojko Borisov, i bëri thirrje kryeministrit Kiril Petkovit që të paraqesë në parlament një propozim për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

Sipas Borisov, propozimi i presidencës franceze dha kuadrin më të mirë për një marrëveshje midis dy vendeve. “Unë i besoj Macronit dhe Komisionit Evropian”, tha Borisov.

Ai akuzoi kryeministrin Petkov se gënjen në Bruksel se Slavi Trifonov dhe Teodora Genchovska po e pengojnë atë të vendosë për veton. “Diçka po e shqetëson. Pse ka frikë?” pyeti kryetari i GERB.

Një shumicë pro-evropiane mund të krijohet me votat e GERB dhe MRF, tha Borisov, duke shtuar se të mërkurën jep 59 votat për të hequr veton.

Por çfarë përmban propozimi francez, për përmbajtjen e së cilës më herët, Ministria e jashtme bullgare nuk e kishte përfillur duke deklaruar përmes një qëndrimi zyrtar se, “kishte mandat vetëm t'i përmbahej deklaratës së Parlamentit të vitit 2019”?

Propozimi francez, që iu dorëzua pak kohë më parë Bullgarisë përmban pesë pika.

 Shkupi duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendimet territoriale ndaj Bullgarisë, se do të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, se do të rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, reprezaljet në territorin e saj për shkak të përkatësisë së tyre etnike bullgare, harmonizimin e teksteve shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, heqjen e të gjitha tabelave që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë.

Pika më delikate lidhet me gjuhën. Bullgaria e konsideron maqedonishten dialekt të saj, ndërsa Shkupi e quan gjuhë më vete. Franca propozon që kjo përplasje të zgjidhet në një moment të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë