Analize

Çfarë mund të bëjë BE për të ndaluar Poloninë të dalë nga blloku?

Çfarë mjetesh ka Brukseli për të ndërhyrë kundër qeverisë së Varshavës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Polake, e cila sanksionoi përparësinë e ligjit kombëtar mbi të drejtën e Komunitetit, duke minuar themelet e BE-së?

Ekzistojnë tre rrugë që mund të ndiqen nga pikëpamja juridike.

1.Komisioni mund të hapë një procedurë të re shkeljeje dhe ta detyrojë  Varshavën të dalë para Gjykatës së Drejtësisë të BE-së, duke kërkuar ndëshkime financiare me gjoba të mundshme ditore.

Por është një armë e hapur, nuk ka funksionuar deri më tani dhe qeveria e udhëhequr nga Mateusz Morawiecki i Pis, ka vazhduar të marrë vendime në kontrast me rregullat e BE-së, siç dëshmohet nga reforma në drejtësi që nuk respekton pavarësinë e gjyqësorit.

2.Brukseli mund të ngrejë çështjen politike duke përdorur nenin 7 të Traktatit të BE-së, i cili parashikon dy mekanizma në rast të një shkeljeje serioze nga një vend anëtar i parimeve mbi të cilat mbështetet Unioni: një për masat parandaluese, nëse ka rrezik të qartë të shkeljes së vlerave të BE-së; një për sanksionet, nëse shkelja ka ndodhur, por kjo e fundit kërkon unanimitet (Polonia nuk voton, por është e vështirë të mendohet se Hungaria do të dalë kundër Varshavës, pasi ka të njëjtin problem të respektimit të sundimit të ligjit).

Neni 7, në rastin e masave parandaluese, parashikon që, me propozim të Komisionit Evropian ose Parlamentit të BE-së, Këshilli me shumicën prej 4/5 (22 vende nga 27), mund të përcaktojë nëse ekziston rreziku i shkeljes së vlerave evropiane. Një lëvizje për të izoluar Poloninë politikisht. Deri më tani, të gjitha procedurat e Nenit 7 kanë ngecur në Këshill.

3.Përdorimi i instrumentit të ri për kushtëzimin e sundimit të ligjit të krijuar për të mbrojtur buxhetin e BE-së.

Komisioni propozon ngrirjen e fondeve të BE-së në prani të mospërputhjes me Sundimin e Ligjit nga një Shtet Anëtar dhe Këshilli duhet ta miratojë me shumicë të cilësuar.

Gjykata e Drejtësisë së BE-së, së shpejti - sipas disa burimeve - do të shprehë opinionin e saj mbi apelin e Polonisë dhe Hungarisë, të cilët e konsiderojnë këtë mekanizëm të paligjshëm.

Por data nuk është caktuar akoma. Mekanizmi ka qenë në fuqi që nga janari 2021, por Komisioni ka marrë përsipër të mos e aktivizojë atë derisa Gjykata të vendosë.

Pyetja është, nëse Varshava dhe Budapesti do ta respektojnë vendimin nëse Gjykata e Luksemburgut njeh ligjshmërinë e instrumentit të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë