Bota

Poloni, rreth 100 mijë njerëz protestojnë në Varshavë pro-qëndrimit në BE

Rreth 100,000 njerëz morën pjesë në protestën e Varshavës në favor të hyrjes së Polonisë në Bashkimin Evropian, kundër përpjekjeve të qeverisë që shkojnë drejt shkëputjes nga Brukseli.

Nismat në mbështetje të BE-së u zhvilluan midis të shtunës dhe të dielës në 120 vende në të gjithë vendin. Sondazhet e fundit konfirmojnë se mbi 80% e popullsisë është në favor të anëtarësimit në BE.

Protestat në rrugë u ngritën, pasi Gjykata Kushtetuese e vendit, vendosi që Kushtetuta polake mbizotëron mbi ligjet e BE-së.

Protestuesit dhe kritikët e qeverisë nacionaliste të krahut të djathtë, kanë frikë se vendimi i gjykatës mund të çojë në "Polexit" ose Polonia të detyrohet të largohet nga BE për një refuzim të dukshëm të ligjeve dhe vlerave të bllokut.

Ish-presidenti Lech Ëalesa, i cili fitoi Çmimin Nobel për Paqe për kundërshtimin e tij ndaj regjimit komunist polak, foli para turmës në Gdansk, i shoqëruar me duartrokitje.

Donald Tusk, lideri kryesor i opozitës në Poloni dhe ish-udhëheqës i BE-së, tha se politikat e partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi po rrezikojnë të ardhmen e Polonisë në Evropë.

Forcat e tjera opozitare gjithashtu iu bashkuan demonstratës. "Ne duam një Poloni të pavarur, evropiane, demokratike, që i bindet ligjit dhe e drejtë, - tha Tusk, duke folur para Kalasë Mbretërore, e rrethuar nga mijëra demonstrues dhe furgona policie. - Këto parime sot janë shtypur nga një fuqi pa ndërgjegje dhe moral”. Pastaj Tusk sulmoi qeverinë: "Ata duan të largohen nga BE dhe të shkelin të drejtat e qytetarëve".

Mobilizimi ishte i përgjithshëm, shumica e polakëve janë pro qëndrimit në BE. Një moment prekës ishte ndërhyrja e një veterani 94-vjeçar të kryengritjes së Varshavës të vitit 1944 kundër pushtuesve nazistë: "Ne kemi qenë gjithmonë në Evropë, askush nuk do të na nxjerrë jashtë. Kjo është Evropa jonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë