Ne rrjet

Çfarë mesazhi përcjell pagesa rekord për zgjidhjen e padisë për shpifje ndaj kanalit Fox News

Një padi gjyqësore që ka qenë në qendër të vëmendjes të opinionit publik amerikan kishte të bënte me mënyrën se si kanali Fox News trajtoi pretendimet e pavërtetuara të ish-Presidentit Donald Trump për manipulime zgjedhore në vitin 2020. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Laurel Bowman, rrjeti mediatik ra dakord të paguajë një shifër rekord prej 787.5 milionë dollarësh për të shmangur arritjen e çështjes në gjyq.

787.5 milionë dollarë është shuma që Fox News ra dakort t’i paguajë kompanisë së sistemeve të votimit Dominion. Kompania tha se rrjeti televiziv përhapi informacion të rremë për makinat e saj të votimit dhe se sugjeroi se kompania Dominion ndihmoi për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2020, në mënyrë që Joe Biden të fitonte përballë Donald Trump-it.

“Fox ka pranuar se ka thënë gënjeshtra për Dominion-in që i shkaktuan dëm të madh kompanisë time, punonjësve tanë dhe klientëve të cilëve u shërbejmë”, tha John Poulos, drejtues i kompanisë Dominion.

Ish-Presidenti Donald Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se iu vodhën zgjedhjet e vitit 2020, megjithë mungesën e provave për të mbështetur këtë pretendim.

Avokatët e tij thanë se makinat e votimit të kompanisë Dominion e ushqyen këtë pretendim, të cilin Fox News lejoi të përsëritej shpesh në transmetimet e tij.

“Flitet për radhë të gjata në vendvotime në mes të natës pasi duhej të kishin ndalur numërimin, dhe atëherë operatorët e Dominion-it u futën brenda dhe futën vota dhe ndryshuan të gjithë sistemin”, thoshte zonja Powell.

Duke e zgjidhur padinë me marrëveshje, kanali Fox shmangu dhënien e dëshmive nga gazetarët e tij, pasi u zbulua nga dokumentat e çështjes gjyqësore se megjithëse në mesazhet e tyre ata kishin shprehur privatisht dyshime për pretendimet e zotit Trump, ata nuk e kishin shprehur këtë publikisht.

Në deklaratën pas arritjes së marrëveshjes, Fox News tha se “e kuptojmë që disa nga vendimet e gjykatës i nxorën false disa nga pretendimet për Dominion-in”, dhe se “shpresojmë që vendimi ynë i mundëson vendit” t’i lërë pas këto çështje dhe të shohë drejt së ardhmes.

Me një shumë kaq të lartë dëmshpërblimi, a do të bëhen mediat amerikane më të përgjegjshme për raportimin e fakteve?

Ndoshta, thonë disa ekspertë.

“U jep një mesazh mediave të tjera që të jenë të përgjegjshme me njerëzit kur transmetojnë diçka dhe të kontrollojnë faktet që transmetojnë apo publikojnë”, thotë Roy Gutter, nga Qendra Tully për Fjalën e Lirë, në Universitetin e Sirakuzës.

Të tjerë po ndjekin me vëmendje shenjat se në ç’drejtim po orientohet gazetaria amerikane dhe se çfarë do të ndodhë me një nga drejtuesit kryesorë të emisioneve televizive, Tucker Carlson, i cili u largua nga kompania disa ditë pas arritjes së marrëveshjes për padinë gjyqësore. Rrjeti Fox dhe zoti Carlson nuk kanë thënë se përse ai u largua, dhe zoti Carlson nuk ka dhënë ndonjë tregues për planet e tij për të ardhmen. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë