Treg

Çfarë i “trembi” turistët polakë në Shqipëri

Turistët polakë kanë qenë surprizë për nga prurjet për të paktën katër sezonë në Shqipëri duke nisur nga 2014-ta.

Në vitin 2018 në vend kanë hyrë 34, 2 % polakë më shumë se në 2017 ose 154 mijë shtetas.
Ministri i Turizmit Blendi Klosi do të thoshte gjatë Panairit të Turizmit në fillimprill të këtij viti se “Diversifikimi i paketës turistike po e shndërron Shqipërinë në destinacion turistik jo vetëm ballkanik, por edhe europian. Agjencia ITAKA raporton se oferta turistike shqiptare është nga më të shiturat, me mbi 30% më shumë se në 2018-n. Çka do të thotë se gjatë 2019-s pritet që në vendin tonë të vijnë shumë më shumë turistë nga Polonia.”

Por parashikimet nuk godtiën në shenjë.

Duke nisur nga muaji maj deri në muajin gusht të këtij viti, të dhënat e INSTAT tregojnë për rënie të turistëve polakë në Shqipëri.

Teksa në janar-gusht 2018 në vend kanë hyrë 121,444 polakë, në janar-gusht 2019 kanë hyrë 105, 314 polakë ose 13,3 % më pak.

Për disa nga sipërmarrësit e turizmit janë disa që pakësuan këtë sezon turistët polak.

Për Eva Ramën e Explorer Travel & Tours arsyeja e largimit të turistëve polakë është shërbimi i dobët i strukturave hoteliere, të cilat sipas saj nuk kanë ndryshuar ndër vite.

Kliton Gërxhani, ATOA


Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata Shqipatre e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike) mendon se kjo situatë sugjeron që duhet të mbështetemi dhe duhet të nisemi nga tregu shqipfolës, që sipas tij e kemi gjithsesi më të natyrshëm, dhe që andej të shikojmë kujt tregu të huaj mund t'i përgjigjemi me kërkesat që kanë.

Sepse lëvizje të tilla, shpjegon Gërxhani, nëse konsolidohen, tregojnë që lehtësisht vijnë dhe lehtësisht shkojnë.

Prurjet e polakëve sqaron ai, kanë ardhur kryesisht prej mbylljes në atë kohë të Turqisë dhe Egjiptit dhe do ikin po prej hapjes së këtyre dy destinacioenve nëse ne nuk u ofrojme raport të drejtë cilësi/çmim.

“Në dy vitet e fundit polakët kanë qenë tregu me rritjen më të madhe dhe sivjet po del që është tregu me rënien më të madhe. Prandaj duhet një analizë më e thelluar”- thotë Gërxhani.

Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit

Teksa 16 mijë polakët kanë gjetur tregje të tjera për të kaluar pushimet këtë vit, Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit identifikon disa faktorë që e kanë zhvendosur vëmendjen e tyre nga Shqipëria për të shpenzuar pushimet.

Sipas Topuzit tregu polak ka dy vjetë që ka paraqitur disa kërkesa për tregun shqiptar, të cilat ende nuk janë realizuar.

Polakët kanë qenë të pakënaqur në lidhje me infrastrukturën e rrugëve dytësore dhe ndriçimin në këto rrugë, duke qenë se ata kryesisht janë instaluar në Golem, tek Shkëmbi i Kavajës dhe më pak në Sarandë.

“Nga Plepat në Golem rrugët dytësore janë të pakalueshme për autobusët turistikë”- thotë Topuzi.

Në të njëjtën kohë polakët kërkojnë paketa “all inclusive” me çmime më të mira për cilësi më të mirë, por “tregu po evoluon. Në Golem janë 2000 shtretër deri më tani dhe çmimet janë rritur”- sqaron Topuzi.

Megjithatë, pavarësisht se tregu polak nuk përbën ndonjë peshë shumë të konsiderueshme në totalin e turistëve që vijnë në Shqipëri, eskpertët sugjerojnë se standartet e kërkuara nga ata, vlejnë për të gjithë turistët, prandaj tregu shqiptar duhet të lëvizë, po ashtu edhe qeveria me infrastrukturën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë