Lajme

Meta: Zgjedhjet më 13 tetor!

Ilir Meta vendosi 13 tetorin si një datë të re zgjedhjesh vendore në Shqipëri. Meta mbërriti këtë të enjte në Presidencë fiks në orën 05:00 të mëngjesit, ashtu siç edhe e kishte njoftuar një natë më parë publikisht, orarin që është i gatshëm të preste kryeministrin dhe kryetarin e PS, Edi Rama për të diskutuar mbi situatën politike në vend. Jo vetëm që Rama nuk i ka shkuar as në 05:00 të mëngjesit, por nuk pati ndonjë plan për t’i shkuar as deri në orën 13:00, limitin që kreu i shtetit kishte vendosur, pasi është në dijeni që Rama ka agjendë të ngjeshur për shkak të takimeve elektorale. Por, këto orë Ilir Meta nuk i ka kaluar i vetëm me stafin e tij. Një maratonë takimesh në zyrën e tij nisi që në orën 09:00, kur në Presidencë mbërriti kryetari i PD-së, Lulzim Basha e pas tij nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili (në mungesë të Monika Kryemadhit). Më pas, në radhë aleatët e demokratëve, Fatmir Mediu i PR, Nard Ndoka i PDK, Agron Duka i PAA, Vangjel Dule i PBDNJ dhe Dashamir Shehi i LZHK. Pas tyre në takim me kreun e shtetit shkon edhe aleati i socialistëve, Kreu i PDS-së, Paskal Milo. Por, çfarë do të ndodhte pas orës 13:00 dhe përfundimit të të gjitha këtyre takimeve, ku socialistët munguan?

Gjatë paradites burimet e Gazeta Si thanë se të gjitha opsionet janë në tryezë. Duke qenë se sot është 27 qershor dhe jemi vetëm 3 ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, burimet thanë se mund të pritej një datë e re zgjedhjesh që do të dekretohej nga presidenti Ilir Meta edhe në mungesë të konsultës me Ramën apo përfaqësuesit e qeverisë.

Presidenti Meta dhe Kryetari i PD-së në takimin që zhvilluan sot

Presidenti kërkon kështu t’i paraprijë 30 qershorit me një dekret që do të hynte në fuqi para kësaj date. Kjo do të thotë se dekreti duhet të dilte sot nga Presidenca që të botohet deri ditën e premte në Fletoren Zyrtare, pasi e shtuna është ditë pushimi dhe vështirë se dekreti mund të botohet.

Për qeverinë nuk ka diskutim që zgjedhjet do të mbahen këtë të diel. Kolegji Zgjedhor ditë më parë rrëzoi kërkesën e partisë së Unitetit Kombëtar për tu çregjistruar nga 30 qershori, vendim që u interpretua si përgjigje indirekte për mbajtjen e zgjedhjeve këtë të diel. Shumica e KQZ-së (pa kryetarin Klement Zguri) vijon punën me shpërndarjen e materialeve zgjedhore dhe akreditimet e vëzhguesve dhe gazetarëve. Por si po pritej lëvizja e Metës sot? Edi Rama një natë më parë kur e refuzoi ftesën për takim në zyrën e kreut të shtetit tha se priste një çmenduri të radhës së presidentit.

“E meqë ra llafi te loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit se pas asaj çmendurie pres edhe një tjetër. Se ç’kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet më 30 qershor”, tha Rama. A e ka fjalën Rama për një dekretim të një date të re zgjedhjesh nga ana e presidentit?    

Presidenti Meta dhe nën/kryetari i LSI-së në takimin që zhvilluan sot

Por, për Edi Ramën që pas dekretit të anulimit të 30 qershorit, të gjitha veprimet që pasojnë të Ilir Metës janë nul ligjërisht dhe çmenduri politike moralisht.

“Dekreti idiotesk është një ndërtim pa leje në mes të hapësirës së përbashkët politike. Njësoj siç pushtuan Lanën dhe Tiranën me ndërtime pa leje, tani pushtojnë hapësirën e përbashkët politike”, deklaroi ai nga një takim me banorët e njësisë numër 4 në kryeqytet.

Në të njëjtin takim Rama nuk ngurroi të heqë një paralele mes Berishës dhe Bashës.

“Bujar Nishani po duket sikur ka qenë burrë shteti në krahasim me ca bën ky. Edhe Saliu, shumë më i egër shumë më i ashpër, por Saliu nuk ka ikur ndonjëherë nga ndonjë palë zgjedhjesh. Saliu u dilte të gjithëve përballë. Luli është keqardhje e përhershme, është një personazh që gënjen sikur këndon. Iku Këshilli i Europës nga zgjedhjet, vendim politik thotë. Ai e ka rrëna dhe rrena e dytë mbulo të parën”, deklaroi Rama.

Kryeministri u shfaq i vendosur për të vazhduar përpara me 30 qershorin, pavarësisht takimeve të Presidentit, që ashtu si opozita thotë se zgjedhjet e së dielës janë të paligjshme dhe antikushtetuese. Por, cila do të jetë lëvizja e radhës e Ilir Metës? Gjasat janë që brenda kësaj dite, Presidenti të dalë me një datë të re për zhvillimin e zgjedhjeve, ndoshta në muajin tetor.

Burime nga Presidenca konfirmojnë se kreu i shtetit ka negociuar me partitë politike për caktimin e datës së re të zgjedhjeve vendore dhe në përfundim të këtyre negociatave ka dalë me një vendim, atë të mbajtjes së zgjedhjeve në 13 tetor.

Gjatë ditës, burimet thanë se gjasat ishin që Meta të dekretonte një datë në tetor, që është edhe brenda periudhës zgjedhore që sanksionohet në Kodin Zgjedhor dhe që nuk bie ndesh me Kushtetutën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë