Shendet

Ç’do kishte ndodhur po të kishim hequr makinat nga qytetet?

 Ndotja e ajrit është vrasësi i katërt më i madh në botë pas duhanpirjes, tensionit të lartë dhe dietave. Ndotja e ajrit është arsyeja e 6 milionë vdekjeve në vit. Pjesa më e madhe janë në vende të varfra. Fatkeqësisht, cilësia e ajrit mund të bëhet gjithnjë e më e keqe me zgjerimin e shpejtë të urbanizimit.

Më shumë se gjysma e e popullsisë së botës aktualisht jeton në qytete. Deri në 2050, kjo shifër do të arrijë dy të tretat. Meqënëse trendi tregon se njerëzit që zhvendosen nga fshati në qytet është në rritje, rrjedhimisht pritet të ketë më shumë makina nëpër rrugë, më shumë pika të nxehta të bllokimit të trafikut pranë shtëpive dhe vendeve të punës, dhe më pak hapësira të gjelbra.

Banorët e qytetit tashmë po vuajnë nga tymi dhe smogu i përditshëm aty ku jetojnë edhe punojnë. Është e tmerrshme të mendosh që kemi arritur në një situatë ku është më e shëndetshme të qëndrosh brenda se sa të frymëmarrësh ajër të ndotur.

Pse kombet, liderët politikë, ekspertët dhe organizatat e ndryshme duan të reduktojnë ndotjen e ajrit? Arsyeja kryesore është mbrojtja e shëndetit të njeriut. Por ne mund të jemi më të guximshëm se thjesht të zbusim këtë problem duke u përpjekur të zvogëlojmë përqendrimet e grimcave të ndotura. Ekziston një mundësi për të shkuar shumë më tej, të analizojmë deri në zemrat e qyteteve.

Paradoksalisht, ndotja e ajrit mund të na nxitë të transformojmë shëndetin publik dhe infrastrukturën, dhe të ndryshojmë mënyrën se si ne i projektojmë qytetet në të ardhmen.

Ne aktualisht shpenzojmë shumë kohë duke u fokusuar në mënyrat e prodhimit të lëndëve djegëse më të pastra dhe më efikase. Ligjvënësit aplikojnë taksa ose ndalojnë makinat e vjetra në qytete. Industria e makinave është duke parë një bum në automjete hibride dhe elektrike, të cilat janë shumë më miqësore ndaj mjedisit.

Natyrisht, këto zgjidhje luajnë një rol të rëndësishëm në pastrimin e ajrit. Por ne humbasim një mundësi të madhe për një qasje më holistike ndaj shëndetit dhe mirëqenies së njerëzve që jetojnë në qytete.

Për shembull, sikur të rishikojmë qëllimin e rrugëve tona? A janë ato me të vërtetë të destinuara vetëm për makina që të shpien nga destinacioni A në atë B? Apo mund t'i shohim ato si një vend për të ecur, ku fëmijët luajnë dhe fqinjët takohen?

Duke hequr makinat nga qytetet, nuk ulim vetëm prodhimin e lëndëve djegëse për konsum automjetesh- por ka përfitime të tjera të panumërta. Një grup studiuesish në Londër hulumtuan ndikimet e ndalimit të emetimeve në shëndet. Skenari i parë përdori një politikë të udhëhequr nga teknologjia, ndërsa skenari i dytë e promovonte ecjen dhe çiklizmin në vend të makinës.

Të dy skenarët rezultuan në nivele të njëjta në lidhje me cilësinë e ajrit. Por metoda që inkurajoi njerëzit që të ecnin , gjeneroi 30 herë më shumë përfitime, për shkak të përmirësimeve shëndetësore nga rritja e aktivitetit fizik. U  kryen hulumtime të ngjashme në qytete të tjera dhe u arrit të njëjtat përfundime.

Fatkeqësisht, nivelet e tanishme të ndotjes së ajrit mund t'i bëjnë njerëzit të largohen nga mjediset jashtë dhe të të mos kenë mundësinë e një aktiviteti fizik të rregullt. Një studim i kohëve të fundit në Londër krahasoi efektet shëndetësore të një shëtitjeje në Hyde Park ndaj një shëtitje tjetër përgjatë Oxford Street. Për njerëzit mbi 60 vjeç, ndotja toksike e ajrit ka eleminuar disa nga përfitimet që ata do të merrnin nga aktiviteti fizik i lehtë.

Dhe në disa prej qyteteve më të ndotura në botë, si Delhi apo dhe Beijing, të ngasësh biçikletën për më shumë se një orë çdo ditë, më shumë dëmton se i bën mirë shëndetit.

Disa qytete kanë njoftuar fushatat pa makina, duke përfshirë Milanon, Kopenhagenin, Madridin dhe Parisin. Oslo planifikon t'i ndalojë përgjithmonë të gjitha makinat nga qendra e qytetit deri në vitin 2019. Chengdu në Kinë po projekton një zonë të re rezidenciale në të cilën njerëzit do të mund të ecin kudo lehtë, duke reduktuar nevojën për makina.

Edhe pse u harrua për një kohë, ne kemi një histori të planifikimit të qyteteve me shëndetin publik në mendje. Sanitarët urbanë në mes të viteve 1850 bënë thirrje për strategji të reja të planifikimit që përfshinin më shumë hapësirë të gjelbëruar, ventilim më të mirë nëpër rrugë dhe rrezet e diellit në shtëpi, për të luftuar epidemitë e kohës si kolerën dhe murtajën.

Këta njerëz lanë gjurmë në qytetet e tyre respektive përmes një përpjekjeje të vetëdijshme për planifikim të një shëndeti më të mirë. Ne po shpresojmë të bëjmë përparime të ngjashme. Rrjeti Imperial i Përsosmërisë në Cilësinë e Ajrit ka për qëllim të identifikojë kufijtë e mëdhenj të ardhshëm në kërkimin e cilësisë së ajrit, duke bashkëpunuar me të gjitha disiplinat për të ofruar njohuri të reja. Shkencëtarët dhe hulumtuesit nga mjekësia, inxhinieria, biznesi dhe disiplina të tjera po mblidhen së bashku për të ndarë ekspertizat dhe për të gjetur zgjidhje për disa nga sfidat më të mëdha.

Kolegët e mi Dr Marc Stettler, Dr Laure de Preux dhe unë do të eksplorojmë disa nga këto çështje me kolegët dhe liderët globalë në takimin e përvitshëm të Kampionëve të rinj në World Economic Forum në Tianjin në Kinë këtë vit.

Ashtu si sanitarët urbanë të afro 200 vjetëve më parë, përsëri kemi mundësinë të krijojmë qytete duke patur përparësi përmirësimin e shëndetit publik. Unë nuk kam asnjë dyshim se do të arrijmë atje dhe se do ta kuptojmë këtë vizion të ri për rrugët dhe lagjet, një vend ku njerëzit do të jetojnë, jo duke menduar vetëm për makinat. Pse të mos fillojmë tani, dhe më pas të korrim përfitimet? 
Audrey De Nazelle , World Economic Forum 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë