Nga Gazeta ‘Si’- Ervin Mata, 39-vjeçari shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht dhe subjekt i një kërkese ekstradimi, u arrestua mbrëmjen e së shtunës (25 prill) në Ilhabela, në bregdetin verior të São Paulos në Brazil.
Sipas Policisë Ushtarake braziliane, kapja ndodhi në një lokal komercial në zonën Vila.
Gjatë kontrollit, ai u përpoq të fshehë identitetin e tij, por u njoh menjëherë nga efektivët që kishin informacione të plota për të por nuk pati rezistencë nga ana e tij, shkruajnë mediat braziliane.
Arrestimi erdhi si rezultat i një operacioni të përbashkët mes njësisë Tático Ostensivo Rodoviário (TOR) të 6-t Batalionit të Policisë Rrugore dhe Forca Tática të 20-t Batalionit të Policisë Ushtarake të Brendshme.
Policia braziliane raporton se shërbimet e informacionit kishin lokalizuar lëvizjen e Matës drejt bregdetit verior. Gjatë ndjekjes, ai përdori rrugë alternative për të shpëtuar autoritetet, duke kryer pjesë të itinerarit me anije deri në Ilhabela.
Pas arrestimit, Mata u transferua te autoritetet federale dhe ndodhet në dispozicion të drejtësisë braziliane derisa të përfundojnë procedurat për kërkesën e ekstradimit.
Më herët, Gjykata e Lartë Federale në Brazil kishte lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në Shqipëri, e cila kishte nisur edhe procedurat për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Sipas hetimeve të SPAK, Ervin Mata dhe grupi i tij dyshohet se janë të përfshirë në trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Autoritetet shqiptare pretendojnë se gjatë një periudhe rreth dyvjeçare janë sekuestruar rreth 931 kilogramë lëndë narkotike të lidhura me këtë rrjet.
Hetimet tregojnë gjithashtu se fitimet e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë investuar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
Për të shmangur gjurmimin e parave, grupi dyshohet se ka përdorur edhe sistemin informal të transfertave “Hawala”.
Ndërkohë, pritet që autoritetet braziliane të vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje