Lajme

Çështja Veneto Banka, nën sitën e antimafias

Sabina Veizaj - SGA e trembur nga hetimi i antimafias italiane, tërheq menaxhimin e kredive të këqija nga Tranzit shpk.

Në ndjekje të çështjes se ku kanë përfunduar pasuritë e paluajtshme të shqiptarëve, debitorë të ish Vento Banka Shqipëri, Gazeta “Si” ka folur drejtpërdrejt me disa prej ish punonjësve të Veneto Bank të cilët po luftojnë për çështjen e vjedhjes së kredive dhe hipotekave të klientëve të kësaj banke edhe në anën tjetër të Adriatikut.

Nga biseda mësuam se shoqëria përmbarimore shtetërore italiane SGA që mori përsipër menaxhimin e borxheve të këqija të Veneto Bank, pasi kjo u përthith 100% nga Intesa San Paolo më 2017-ën dhe me një autorizim të thjeshtë noterial ia kaloi këtë menaxhim shoqërisë Tranzit Shpk (që sipas investigimit të rrjetit italian vincenza piu’ është shoqëri offshore me seli në ishujt Cayman), e ka tërhequr shërbimin nga kjo e fundit.
Mësuam se dosjet e klientëve të Veneto Bank Shqipëri i kanë kaluar studios ligjore private të Genc Çiflikut.

Genc Çifliku, avokat

Avokat Genc Çifliku dyshohet nga ana e ish punonjësve të Veneto Bank, të jetë përfaqësues ligjor edhe i Abi Bank, kjo e fundit sëbashku me Tranzit Shpk drejtohen nga i njëjti drejtor i përgjithshëm ekzekutiv Andi Ballta.

Ish punonjësit e Veneto Bank Shqipëri thonë për Gazetën “Si” se që në krye të herës, kur u urdhërua nga Italia falimentimi i bankës ku ata kanë punuar, Abi Bank ishte shumë e interesuar për ta blerë.

Ne kontaktuam me Z. Genc Çifliku për të konfirmuar nëse dosjet e kredive të këqija të ish klientëve të Veneto Bank kanë kaluar nën administrimin e studios së tij ligjore, por ai na tha se nuk është i detyruar të japë asnjë informacion edhe pse është i detyruar në bazë të një sërë ligjesh, konventash dhe të drejtash të informimit publik.

Ai u shpreh se nëse klientët na autorizojnë të marrim informacion, ai do të jetë I gatshëm të na i ofrojë informacionin e kërkuar. Kjo shpjegon se avokat Çifliku konfirmoi në mënyrë të tërthortë se dosjet e kredive të këqija t ëish klientëve të Veneto Bank Shqipëri janë duke u ndjkeur nga zyra e tij ligjore.
Aktualisht ish klientët nuk dinë se ku ndodhen dhe kush i zotëron kreditë e tyre dhe hipotekat që ata kanë lënë në formë kolaterali pranë ish Veneto Bank në kohën kur kanë marrë kredi.

Klientët janë konfuz, thonë ish punonjësit e ish Vento Banka Shqipëri që po ndjekin çështjen. Sepse institucionet e përfshira në këtë aferë, sipas tyre, u dërgojnë letra atyre “Mos i derdhni paratë tek Veneta Lca, por tek SGA, por jo, tek Intesa San Paolo. SGA nuk është e regjistruar në Shqipëri, por ja që vjen këtu, hap llogaritë për këto subjekte italiane jo rezidente dhe ushtron aktivitet fitim-prurës. Nuk paguan taksa, nuk merr leje tek Banka e Shqipërisë, Autoriteteti i Konkurrencës, apo Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. S’ka seli, nipt. Dhe më e tmerrshmja të llogarit si vonesa shuma marramendëse. Përshembull nëse ke 20 mije euro kredi, të thotë ke edhe 5000 euro vonesa, këto 5000 euro janë tatim fitim në burim. I llogarit, por që do të thotë është fajde”- thotë për gazetën “Si” një prej ish punonjësve të Veneto Banka Shqipëri.

Përveç kësaj , ata thonë se Intesa San Paolo ka 10 mln euro cash kredi prej 3 debitorëve të fuqishëm që kanë marrë kredi pranë Veneto Banka Shqipëri që në 2015-ën, mes tyre Rezart Taçi, pronari i Carlsberg dhe një qytetar nga Lezha. Aktualisht kolateralet e tyre janë tek Intesa San Paolo, kurse borxhi i keq tek SGA.

Në dijeni të gjithë institucionet, ndërpritet gjyqi për çështjen

Ish punonjësit e Veneto Banka Shqipëri sqarojnë për gazetën “Si” se është hapur një çështje gjyqësore në Tiranë për humbjen e kredive dhe hipotekave të ish klientëve të bankës së falimentuar. Por në 8 maj çështja është mbyllur me arsyetimin se nuk përbën vepër penale.

Çështja thonë ish punonjësit, përpos që po investigohet nga një rrjet mediatik italian, po hetohet nga Antimafia italiane, po ndiqet gjithashtu nga Guardia di Finanza. Po ashtu sqarojnë ata, edhe Parlamenti italian është vënë në dijeni.

Por indiferent nuk kanë mbetur edhe disa prej institucioneve publike në Shqipëri siç është Presidenti i Republikës Ilir Meta, Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave që kërkojnë hetim të menjëhershëm të çështjes.

Rritje tjetër e portofolit të kredive të këqija, 25 mln euro nga Intesa San Paolo tek SGA

Nga biseda me ish-punonjës të Veneto Banka Shqëpipëri mësuam se më datën 15 maj 25 mln euro kredi të këqija të reja të ish-klientëve të Veneto Banka Shqipëri kanë kaluar nga Intesa San Paolo drejt SGA Spa.

Ata janë në dijeni se Banka e Shqipërisë për këtë çështje prej më shumë se një jave është me një grup inspektimi pranë Intesa San Paolo Bank.
Gazeta “Si” ka kontaktuar me Bankën e Shqipërisë prej disa ditësh dhe është në pritje të përgjigjes. Po ashtu kemi kontaktuar edhe me Autoritetin e Konkurrencës e jemi në pritje të një përgjigjje prej këtij institucioni gjithashtu.

Historia

Historia ka nisur një vit më parë, kur Veneto Banka Shqipëri u shit në formën e bashkimit me përthithje 100% tek Intesa San Paolo Shqipëri dhe shkarkoi kolektivisht nga puna gati 70 punonjës të Veneto Bank.

Nga ai moment punonjësit kanë krijuar një llogari në rrjetin social Facebook me emër Sindikata Veneto Banka ku prej një viti denoncojnë çdo ngjarje financiare-bankare në vend, mbi të gjitha zhvillimet që kanë rrjedhur si pasojë e falimentimit të Veneto Banka.

Historia sipas ish-punonjësve; në vitin 2017 banka çohet në falimentim me vendim të qeverisë italiane. Më qershor 2017, fotografohet sistemi BOS banking operation system, dhe klientet me 1 muaj apo 2 muaj vonesë klasifikohen si kredi e keqe. Përgatitet materiali i totalit të kredive dhe shuma dërgohet në Itali. I kerkohet qeverisë italiane që këto para të shkojnë në llogari të Intesa San Paolo. Shuma e parë ishte 25 mln euro, provigjionime për Bankën e Shqipërisë. “Pra një bankë që kishte maksimumi 12-13 mln euro kredi të keqe NPL, shkon në 50 mln kredi të keqe menjëherë. Pra bëhet një fryrje e kredive sepse paguan qeveria italiane. Në këtë moment banka punon për raportimin e tyre, në Itali dhe në Bankën e Shqipërisë. U jepet statusi “kredi e shitur”. Plus 25 mln euro në 15 maj.

Pra, shpjegojnë ish punonjësit, nëse një klient shkon sot në Bankën e Shqipërisë dhe kërkon të dijë për kredinë, ajo është fshirë dhe rezulton e shitur. BSH nuk ka asnjë dokument për këtë.

Në fillimvit të 2018, sipas ish punonjësve, klientëve u shkon një letër nga Veneto Banka e cila u thotë se kredia jote është transferuar në Itali tek banka në falimentim të detyrueshëm Veneto Banca in Lca. Tani këstet tuaja mund ti paguani tek Intesa San Paolo. Në kontratë klientët e kishin të shkruar të zezë mbi të bardhë që nuk mund të transferohej kredia pa miratim me shkrim nga kredimarrësi dhe në këtë moment Banka e Shqipërisë nuk ndërhyri.

Lca kalon tek SGA dhe në Shqiperi vjen përfaqësuesi i Lca për të firmosur deklaratën noteriale duke fshirë garancitë tek Veneto Banka të cilat i kaloi tek Lca.
Dy veprime me një deklaratë noteriale të përgjithshme. Ish-punonjësit akuzojnë se Hipotekës i është dhënë rryshfet për të kaluar pronat e shqiptarëve tek LCA në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë