Mentor Kasa - “Unë do të bëj çdo gjë për të justifikuar besimin tuaj, por jo vetëm para jush, por para të gjithë qytetarëve dhe Kushtetutës. Të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit dhe legjitimetin e institucioneve tona në mënyrë që të mos sakrifikojmë ato që kemi arritur”. Këto ishin ndër fjalët e para të Ilir Metës si President i zgjedhur në ditët e fundit të muajit prill të 2017-s. Atëherë, PS dhe LSI bashkuan votat dhe me 87 vota pro, ish-kreu i Kuvendit u zgjodh Presidenti i Shtatë i Shqipërisë postkomuniste.
Rezultati i votimit u prit me duartrokitje të përbashkëta nga deputetët e pranishëm dhe të ftuarit në sallë. Por, shpejt këto duartrokitjet dhe urime të përbashkëta do të harroheshin. Më 17 maj, Edi Rama nënshkruan paktin e famshëm me Lulzim Bashën, që u interpretua si pakti që shpëtoi zgjedhjet e përgjithshme dhe futi në garë Partinë Demokratike, e cila deri në atë periudhë kërcënonte nga çadra me bojkot.
Afatet kohore të parashikuara nga Kushtetuta për të ngritur koalicioni ishin stërkaluar dhe në zgjedhje partitë politike u futën “sekush për vetë, Zoti për të gjithë”, ndërsa pakti Rama-Basha lexohej nga figura qendrore të LSI-së në atë periudhë si një ujdi për të dëmtuar këtë forcë politike.
Petku i Presidentit të zgjedhur nuk e pengoi Ilir Metën, megjithëse i dorëhequr si kryetar i LSI-së, duke vendosur përkohësisht Petrit Vasilin në këtë post, që “de facto” të drejtonte fushatën e kësaj force politike. Me sloganin “forcë e parë, forcë e paparë”, Ilir Meta kritika të ashpra pati si për Bashën, ashtu edhe për Ramën.
“Kemi të bëjmë me dy politikanë si Rama e Basha, të cilët nuk janë politikanë vlerash, as politike, as njerëzore, por janë thjesht dy politikanë pushteti dhe ata mendojnë se votat merren me pushtet, me klientelizëm dhe këtë kërkojntë t’ua faturojnë të tjerëve me presion përmes pushtetit, me friksime. Por kjo nuk ka për të funksionuar. Ata, që të dy do të kenë fatin që pati Doktori, pika ime e dobët në vitin 1994 me referendumin që u bë për Kushtetutën. Ky do të jetë fati i të dyve bashkë”, deklaronte ai i ftuar në emisionin “Debati” në Channel One 20 ditë para zgjedhjeve.
Zgjedhjet u mbajtën dhe rezultati i tyre dihet tashmë. Edi Rama mori “timonin” i vetëm me zotimin e dërgimit për skrap të tepsisë së pushtetit, ndërsa Ilir Meta në fund të korrikut hyri në Presidencë me “kohë të plotë”.
Detyra si “palë mbi palët” ja ndalonte e ja ndalon ende që të tregohet i njëanshëm dhe të dalë jashtë kornizave të Kushtetutës, por jo përplasjet me mazhorancën e Edi Ramës, duke u kthyer disa ligje për rishqyrtim, mes të cilëve edhe ligji për Teatrin Kombëtar, një ligj i qortuar nga opozita, një pjesë e artistëve dhe shoqëria civile.
Veç ligjit për Teatrin, Presidenti Meta ka kthyer edhe disa ligje të tjera, përfshirë këtu atë për lojërat e fatit dhe kazinotë, apo atë për tarifat gjyqësore. Këto ligje, si dhe mosdekretimi i kreut të ri të SHISH-it brenda një 1 viti në detyrë sinjalizojnë për një raport të vështirë mazhorancë-President.
Por, deri në fundjavën që lamë pas të dy institucionet ishin kujdesur që këto përplasje të mbeteshin nën rrogoz dhe të ruhej qetësia. Një emër e ndryshoi këtë rrjedhë. Edi Rama propozoi Sandër Lleshin për pasues të të dorëhequrit Fatmir Xhafaj në krye të Ministrisë së Brendshme, të shtunën e 27 nëntorit.
Dekretin e largimit të Fatmir Xhafajt, Presidenti Meta e firmosi pa vonesa, por jo atë të emërimit të Sandër Lleshit. Ditët kaluan dhe afati 7-ditor përfundoi. Në fund të këtij afati, Presidenca deklaroi shkurtimisht se “Sandër Lleshi nuk e bindi Presidentin Meta për ta dekretuar në krye të Ministrisë së Brendshme”.
Edi Rama e kishte marrë vendimin para se të shpërndahej njoftimi i Ilir Metës dhe përmes mesazheve u kërkonte deputetëve të tij të mos bënin asnjë koment për mediat për këtë temë. “Politika është shah, mos harroni!”, shkruante ai ndër të tjera.
Në lojën e “shahut” Presidencë-Kryeministri, protagonistët absolutë janë dy; Rama e Meta. “Loja” vazhdoi të dielën, kur Edi Rama, me kërkesë të tij u takua në Presidencë me kreun e shtetit. Presidenca heshti për këtë takim, ndërsa Kryeministria e komentoi shkurtimisht, duke folur për një bisedë “konstruktive” me premtimin se “komunikimi do të vazhdojë”.
Por, rrjedha e ngjarjeve të së hënës provoi se vetëm “konstruktive” biseda mes tyre nuk ka qenë. Kryeministri Edi Rama e nisi ditën shpejt. Në orën 08:00 ai hyri në Kryesinë e Kuvendit, ku fillimisht ka patur një takim me Gramoz Ruçin. Pas Ruçit, shefi i Qeverisë ka mbledhur ministrat e kabinetit qeveritar dhe në fund grupin parlamentar socialist.
Në fund të të gjithë këtyre takimeve foli për një dakordësi të plotë brenda PS-së: Sandër Lleshi do të emërohej zv.ministër i Brendshëm. Njoftimin e postoi edhe në rrjetet sociale.
Pas kësaj deklarate të Ramës në derën e Presidencës hyri kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Takimi zgjati rreth 60 minuta, 30 minuta më pak se takimi Meta-Rama një ditë më parë. Në përfundim Presidenca doli me një njoftim të shkurtër, ku thotë se me Ruçin Presidenti Meta nuk foli për ngjarjet e ditës, por për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor.
Zgjedhjet u dekretuan me 30 qershor të vitit tjetër, por lajmin nuk ishte ky. Lajmi u shpërnda pak më vonë po nga Presidenca. Deklarata e zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi ishte më e drejtpërdrejtë dhe një sinjal për Edi Ramën, ku i kujton Kryeministrit se çfarë përfaqëson institucioni i Presidentit të Republikës.
“Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit që përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë", deklaroi zëdhënësi i Presidentit.
Deklarata shpërfaq përplasjen e heshtur deri më tani në aksin Presidencë-Kryeministri dhe përmasat se deri ku do të shkojnë këto përplasje mbeten për t’u mësuar në ditët, javët e muajt në vazhdim.
Në mes të kësaj përballjeje është futur edhe Partia Demokratike. Fajtorin ajo e gjen tek godina e Kryeministrisë. Këmbënguljen e Edi Ramës për Sandër Lleshin e interpreton si nevojë jetike të Kryeministrit për të kontrolluar plotësisht Ministrinë e Brendshme.
“Duke qenë vetë de facto Ministër i Brendshëm, Edi Rama ka më shumë mjete për të mbrojtur Olsi Ramën, Vangjush Dakon, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetaj dhe këdo tjetër anëtar të bandës së tij në pushtet”, thotë PD.
Në një kohë që për demokratët, figura e Sandër Lleshit është figura më e papërshtatshme, brenda mazhorancës kanë nisur diskutimet për gjetjen e rrugës ligjore se si t’i transferojnë kompetencat e plota të një ministri Sandër Lleshit, nesër zv.ministër.
A mund të veprojë si ministër zv.ministri?
Mazhoranca është e vendosur në vendimin e saj, por debati që po ndizet gjithnjë e më fort janë kushtet kur mund të veprojë me kompetencat e ministrit një zv.ministër? Aktualisht, Sandër Lleshi bëhet zv.ministri i pestë në Ministrinë e Brendshme. Rruga më e mundshme është që ai të emërohet zv.ministri i Parë dhe më pas do t’i kalohen kompetencat e ministrit.
Në ligjin për funksionimin dhe Këshillit të Ministrave kushtet kur zv.ministri vepron me kompetenca të plota të ministrit përcaktohen sipas pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative, që thotë një organ publik, palë në një procedurë administrative, vepron nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të përcaktuar sipas ligjit ose titullarit të institucionit, kur nuk ka përfaqësues ligjor të caktuar.
Por, gjërat në këtë rast janë më të komplikuara se kaq, ndoshta edhe për shkak të mungesës së përcaktimeve të qarta ligjore. Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani mendon se zv.ministrit në këtë rast nuk mund t’i kalojnë kompetencat e ministrit.
“Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhen mbajtur në konsideratë tre ligje kryesore: Kushtetuta e Republikës, Ligji për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe Kodi i Procedurave Administrative”, deklaron ai.
Manjanin thotë se sipas Kushtetutës, Fatmir Xhafaj është ende ministër derisa të betohet ministri i ri.
“Pra edhe pas miratimit të dekretit të shkarkimit të tij nga Kuvendi, ai duhet të qëndrojë në detyrë deri sa të vijë Ministri i ri, jo zëvendësministri i ri. Ky është detyrimi që buron nga Kushtetuta dhe nga interpretimi që Gjykata Kushtetuese ka bërë në vendimin e saj nr. 6 të shkurtit 2002”, shkruan Manjani në Facebook.
Por, Fatmir Xhafaj “de facto” nuk e ushtron detyrën, çfarë ndodh në këtë rast?
“Në këtë rast, veprohet njësoj si me çdo ministër tjetër kur gjendet në kushtet e pamundësisë reale për të kryer detyrën. Neni 6 i Ligjit për Këshillin e Ministrave në relacion me nenin 34 të Kodit të Procedurave Administrative sqarojnë se po, një zëvendësministër mund të kryejë përkohësisht detyrën e ministrit kur ky i fundit është i pamundur për ta kryer vetë. Por përkohësisht ama! Që kjo të ndodhë duhet që ministri të autorizojë me shkrim zëvendësministrin konkret që ta kryejë këtë detyrë. Askush tjetër nuk mund te delegojë një detyrë që nuk e ka! As Kryeministri e as qeveria nuk mandaton dot një zëvendësministër të bëhet ministër!”, vijon ai më tej.
Manjani kujton gjithashtu se si zv.ministër, Sandër Lleshi nuk mund të votojë në mbledhjet e Qeverisë dhe as të ulet në karrigen e lënë bosh nga Fatmir Xhafaj në podimin e ministrave në Kuvend.
“Për t’u ulur aty duhet të jesh emëruar ministër, sipas proçedurës kushtetuese: Kryeministër-President-Kuvend. Ndaj nuk ka kuptim ideja që ministrin “e bëjmë vetë” si zëvendësministër”, shkruan ish-ministri i Drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.