Politike

Çështja e detit me Greqinë, Rama: Pse iu drejtuam Hagës! Për histori të tilla, të dyja palët akuzohen për tradhti

Gazeta Si - Pjesë e intervistës mes kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama dhe gazetës ‘Kathimerini”, ka qenë edhe çështja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Edhe pse dosja tashmë është dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Rama tha se është shumë i kënaqur që arriti këtë marrëveshje me ish-kryeministrin grek, Aleksis Tsipras.

Megjithatë, Rama shtoi se marrëveshja është arritur në parim, pasi duhet të kalojë fazat juridike.

Sipas Ramës, presidenti tashmë duhet të japë një autorizim të ri për grupin negociator që të fillojë punë dhe pastaj, duhet të përgatitet diçka, që ai e quan “marrëveshje të përbashkët”.

“Kur u nënshkrua kjo marrëveshje midis paraardhësit tim dhe, më duket, Karamanlisit dhe Dora e firmosi me kundërshtarin tim të dashur, unë nuk e kisha idenë, askush nuk e kishte idenë çfarë ishte. Doli si lajm dhe të gjithë ishin në rregull, me idenë që është një marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, pra s’ka asgjë të keqe. Më pas, disa njerëz nga shoqëria civile, konkretisht, një ish-ushtarak i lartë nisi të shkruante gjëra që ishin shumë shqetësuese. Kur ka arsye për t’u ngritur kundër shqiptarëve në Greqi, ka shumë njerëz atje që e bëjnë. E njëjta gjë ndodh në Shqipëri kundër grekëve, gjen shumë njerëz që e bëjnë. Klima u helmatis e u ndez shumë. Njerëzit e partisë sime thoshin se ky ishte një rast i mirë për t’u vërsulur. U thashë “jo, sepse kjo do të ishte shumë e lehtë. Nëse fillojmë të hapim një betejë politike për këtë, çfarë do të themi, ku do dalim?” Në të njëjtën kohë, argumentet ishin tejet shqetësuese, ndaj iu thashë: “Dëgjoni, e vetmja gjë që mund të bëjmë është ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese”, - argumentoi Rama.

Sipas Ramës, Gjykata Kushtetuese kishte gjithnjë vendime mjaft të balancuara ose, kryesisht, me shumicë, nga ana tjetër.

Ai tregon çfarë iu tha bashkëpunëtorëve të tij: “Është një gjykatë e balancuar. Janë njerëz të arsyeshëm, kështu që janë ata të cilët duhet t’i hyjnë me themel, pasi marrëveshjet detare nuk janë të lehta dhe nuk ka shumë njerëz që e njohin legjislacionin e detit, sepse është një qoshe e veçantë në universin e ligjit”. E çuam në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese mori një vendim 9 me zero, 9 me zero kundër qeverisë, diçka shumë e rrallë. Kjo mbeti çështje e hapur dhe kur u bëra kryeministër, nisa të flas për të, e më kujtohet kur bëra diskutimin e parë, kur (kryeministri) Samaras më kërkoi se ç’mendoja. Më pas, kur i bëmë këto diskutime me Aleksisin (Tsipras), i thashë: “Përse të mos shkojmë në Gjykatën Ndërkombëtare?” Këtu jemi të ngjashëm. Ju mund të jeni në Bashkimin Europian dhe ne jemi kandidatë, ju jeni përpara nesh, sepse historia është treguar më bujare me ju sesa me ne, e keni pasur BE-në përpara nesh prej një kohe të gjatë, por në këtë pikë vazhdojmë të jemi të ngjashëm. Prodhojmë ende më shumë histori nga ç’mund të tresim. Kur bëhet fjalë për të tilla gjëra, sigurisht që mund të shpallesh në çast tradhtar, qoftë nga ana greke apo ajo shqiptare. Të dyja palët akuzojnë për tradhti, megjithëse nuk mund të ketë tradhti konsensuale në të dyja anët. Njëri duhet të jetë tradhtari, tjetri përfituesi apo jo? Jam shumë, shumë, shumë i kënaqur që arritëm në këtë marrëveshje që, më mirë, t’ia lëmë Gjykatës Ndërkombëtare”.

Rama thekson se Shqipëria ka arritur një marrëveshje në parim me Greqinë, se marrëveshja duhet të kalojë hapat.

“Pra, jemi marrë vesh në parim (për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare). Tani duhet të kryer procedura. Presidenti duhet të japë një autorizim të ri për grupin negociator që të fillojë punë dhe, pastaj, duhet të përgatisim diçka të quajtur marrëveshje e përbashkët... Marrëveshje e Përbashkët Kompromisi për t’iu drejtuar gjykatës? Po. Pra, kjo është diçka që duhet arritur dhe shpresoj të realizohet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë