Rend dhe Ligj

“Çështja Bego”- Si mundet krimi të marrë fonde publike

Ligji për prokurimet publike e thotë qartë në nenin 45 të tij se çdo kandidat, ose ofertues skualifikohet nga gara kur ka të dhëna se janë, ose kanë qenë të dënunar me vendim të formës së prerë nga gjykata në pesë raste.

Pjesëmarrja në tendera u mohohet të gjithë personave të dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, korrupsion, mashtrim, pastrim parash, terrorizëm dhe falsifikime.

Por, megjithëse Edmond Bego rezulton i dënuar nga një vendim i formës së prerë të Gjykatës së Apelit në Torino për pjesëmarrje në organizatë kriminale, ai ia doli mbanë që në Shqipëri jo vetëm që të hynte në gara tenderimi, por edhe t’i fitonte ato.

Me emrin Mond Bega, ai rezulton sipas ekstraktit të tërhequr nga Qendra Kombëtare e Biznesit pronari i vetëm i kompanisë “Inerte Express”. Në objektin e aktivitetit të kësaj kompania përshkruhen edhe “ndërtime për nënstacionet, kabinat e transformatorëve të linjave të tensionit të mesëm dhe shpërndarjen e energjisë”.

Pikërisht kjo pjesë, thotë Partia Demokratike, është shtuar në fillim të dhjetorit të vitit 2017, gjashtë muaj para se "Inerte Express" të shpallej fituese e tenderit për ndërtimin e nënstacionit elektrik në Librazhd, që Edmond Spaho tha se ka një vlerë prej 100 milionë lekësh. Kreu i grupit parlamentar demokrat shtoi se shpallja e kësaj kompanie fituese është bërë me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Taulant Ballës.

Veç kësaj, në aktivitetin e saj, kompania rezulton me disa tendera të fituar në të gjithë Qarkun e Elbasanit, kryesisht në infrastrukturë. Por nuk ndalet me kaq. “Inerte Express” ka marrë edhe licencën për shfrytëzimin e minerareve nga autoritetet shqiptare.

Këtë fakt e pranoi edhe vetë Ministria Energjitikës dhe Infrastrukturës, por që reagoi duke thënë se procedura e ndjekur ishte plotësisht e rregullt dhe se nuk ishte gjetur asnjë “cen” në dokumentacionin e dorëzuar nga Mond Bega.

“Subjekti “Inerte Expres” sh.p.k. ka depozituar të gjithë dokumentacionin e kërkuar ligjor. Në këto dokumente vërtetohet se shoqëria “Inerte Expres” sh.p.k, me përfaqësues Mond Bega nuk ka detyrime ndaj personave fizik, juridik, privat apo shtetëror (përmbarimi); nuk ka proces gjyqësor penal në gjykatë (vërtetimi i gjykatës); nuk ka procedim penal të regjistruar në ngarkim të tij (vërtetimi i prokurorisë)”, lexohet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, thuhet në deklaratën zyrtare.

MEI i referohej dhënies për shfrytëzim të një miniere në Mamurras për këtë subjekt, ndërsa në lidhje me dhënien e licencës për shfrytëzimin e minerareve ministria e drejtuar nga Damian Gjiknuri gishtin e drejton edhe nga opozita.

“Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se subjekti “Inert Expres” sh.p.k. ka disa vite që ushtron aktivitetin në industrinë minerare. Për dijeninë e deputetit të ri Ervin Salianji, ky subjekt është pajisur në datën 08.09.2009 me leje shfrytëzimi për vendburimin “Kodra e Shulcit” Mamurras, firmosur nga ish-ministri i Partisë Demokratike në atë kohë”, deklaron ministria.

Por, në 2009 çështja ndaj Edmond Begos ndodhej në Gjykatën e Lartë dhe vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Apelit të Torinos nuk ishte njohur nga drejtësia shqiptare, çka nuk e pengonte Edmond Begon që të ushtronte këtë aktivitet.

Gjërat ndryshojnë pas shtatorit të 2010, kur Gjykata e Lartë njeh vendimin e autoriteteve italiane dhe dënon me 4 vite e 4 muaj burg Edmond Begon, njohur ndryshe edhe si Mond Bega. Gjykata argumentoi vendimin e reduktimit të dënimit me burg për Edmond Begos bazuar në nenin 516 të Kodit të Procedurës Penale.

Çfarë thotë ky nen? Sipas parashikimet të këtij neni, gjykata konverton dënimin e caktuar në vendimin e huaj në një nga dënimet e parashikuara për të njëjtin fakt nga ligji shqiptar. Masa e dënimit nuk mund të kalojë kufirin maksimal të parashikuar për të njëjtin fakt nga ligji shqiptar.

Megjithatë, edhe pas këtij vendimi Edmond Bego dhe "Inerte Express" vazhduan të ushtronin aktivitetin e tyre. Në 2014, Ministria e Energjitikës i dha lejen e shfrytëzimit për 25 vjet të një miniere në zonën e Kosovës, në rrethin e Elbasanit dhe më vonë edhe tenderin për ndërtimin e nënstacionit elektrik në Librazhd.

Pyetjet që lidhen me këtë rast janë të shumta, duke filluar që nga certifikata e gjendjes gjyqësore që Bego ka dorëzuar në komisionet e tenderimit, njohur ndryshe si dëshmia e penalitetit. Ministria e Energjitikës thotë se kjo dëshmi ishte e pastër. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që në dokumentacionin e dorëzuar nga Mond Bega si përfaqësues i “Inerte Express” ai nuk rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë nga asnjë gjykatë.

Nëse vendimi i formës së prerë është dhënë nga një gjykatë e huaj ligji shqiptar nuk e parashikon pasqyrimin e këtij vendimi në dëshminë e penalitetit, që lëshohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Por, gjërat ndryshojnë kur ky vendim njihet nga gjykatat shqiptare.

Gazeta “Si” kontaktoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në numrat zyrtarë që ka vendosur në faqen e saj të internetit. Pyetja që i adresuam ishte e thjeshtë: A reflektohen dënimet e formës së prerë të dhëna nga një gjykatë e huaj në dëshminë e penalitetit në Shqipëri, nëse këto dënime janë njohur nga gjykatat shqiptare?

Përgjigjia që morëm mbrapsht ishte një “Po” e sigurtë. Por, sipas asaj që thotë Ministria e Energjitikës dënimi i Edmond Begos në Itali, që është njohur nga Gjykata e Lartë shqiptare që në vitin 2010, e cila e zbuti atë nga 11 vjet në 4 vite e 4 muaj burg nuk është reflektuar në dëshminë e penalitetit, pasi nëse do të ishte bërë, Begos do t’i ndalohej e drejta për të garuar në tendera publikë.

Gjërat në këtë rast bëhen shumë më të ndërlikuara, pasi Edmond Bego zotëron kompaninë "Inerte Express" me emrin Mond Bega. Pra, në dokumentacionin e pjesëmarrjes në tender, komisioni i tenderimit ka parë dosjen e Mond Begas, jo të Edmond Begos.

Por, cilat janë kushtet që “pastrojnë” një dëshmi penaliteti? Neni 483 i Kodit të Procedurës Penale parashikon disa raste, por asnjëri prej tyre nuk është ndryshimi i emrit, apo mbiemrit.

Kush verifikon? Neni 484, po i Kodit të Procedurës Penale, thotë se veç vetë personit që mund të tërheqë një dëshmi penaliteti për veten e vet, pa dhënë shpjegime, janë edhe dy raste të tjera. Në njërin rast janë prokurorët, që mund të kërkojnë vërtetime të gjendjes gjyqësore për një të pandehur, ndërsa në rastin tjetër janë edhe organet shtetërore dhe entet e ngarkuara me shërbime publike.

Por, në rastin e Mond Begas, a e ka kërkuar dokumentacion Operatori i Sistemit të Transmetimit, si institucioni që ka organizuar tenderin për ndërtimin e nënstacionit elektrik të Librazhdit?

E sigurtë është se me çfarëdo emri që ai të paraqitej në garën e tenderimit, dënimi i formës së prerë të marrë nga autoritetet italiane dhe të konfirmuar edhe nga ato shqiptare, duhej të reflektohej, të paktën 5 vite nga nisja e vuajtjes së dënimit.

Por kjo nuk ka ndodhur. Dhe Bego apo cilido person tjetër  i botës së krimit e ka hapësirën për të përfituar para publike por që në këtë rast duket se "indiferenca" e dikujt  ia ka lehtësuar rrugën. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë