Lajme

“Çështja Alvin”, Rama raporton për situatën e shqiptarëve në Siri

Parlamenti pritet të zhvillojë një interpelancë urgjente nesër me ministrin e Jashtëm, Edi Rama për çështjen e shqiptarëve që gjenden në kampet e Sirisë. Tetë deputetët e opozitës së re Andi Përmeti, Alban Zeneli, Arben Elezi, Arlind Çaçani, Korbal Lita, Koçi Tahiri, Kostaq Papa dhe Halil Jakimi kanë kërkuar një interpelancë urgjente me ministrin e Jashtëm në lidhje me rastin e Alvin Berishës, i cili është në kampin Al Hol në Siri. “Kërkojmë shpjegime lidhur me rastin e Alvin Berishës, djalit 11-vjeçar që ndodhet i vetëm në kampet e Sirisë. Ky është rast i bërë publik nga emisioni italian "Le Iene" ku pretendohej se duhej vetëm vullneti i ambasadorit shqiptar në Turqi për ta risjellë djalin pranë familjes. Çfarë po ndodh me këtë rast dhe cilat janë masat konkrete që po merr shteti shqiptar për rastin e Alvinit dhe raste të ngjashme me të”, thuhet në kërkesën e deputetëve të opozitës. Deputeti Andi Përmeti në një reagim për Gazeta "Si" shprehet se për këtë interpelancë ligjërisht duhet të raportojë kryeministri Edi Rama, i cili njëherësh mban edhe postin e ministrit të Jashtëm për Europën dhe Integrimin. Pavarësisht se mban këtë post, Rama ia ka deleguar ushtrimin e detyrës, zv.ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj. Deputeti Përmeti thekson se akoma nuk ka një informacion se kush do të raportojë në Parlament për çështjen e Alvinit dhe të shqiptarëve që gjenden të bllokuar në Siri, por burime pranë Kryeministrisë pohuan për Gazetën "Si" se pritet që të jetë vetë Rama që do të raportojë për këtë çështje.

Faksimile e kërkesës së 8 deputetëve të opozitës


Pas luftës në Siri, në kampet e kontrolluara nga ISIS gjenden të bllokuar disa shqiptarë. Për këtë çështje Italia ka ngritur shqetësimin, duke kërkuar që vogëlushi Alvin të kthehet atje, pasi familja e shqiptarit jeton si emigrant prej vitesh. Madje Këshilli i Ligurias votoi në mënyrë unanime që shteti italian të ndërmjetësonte për kthimin e fëmijës. Për kthimin e Alvinit pranë babait të tij që jeton në Itali është angazhuar edhe qeveria shqiptare, ku vetë kryeministri Rama i ka premtuar babait Afrim Berisha se do të bëhet gjithçka që Alvini të kthehet sa më parë. Rama pati deklaruar disa javë më parë në një konferencë për shtyp se shteti po angazhohet me partnerët ndërkombëtarë për të mundësuar kthimin e shqiptarëve
Sa i takon çështjes së Alvin Berishës fillimisht u përfol se është në kujdesin e shoqatës “Save the Children”, por kjo OJF ndërkombëtare hodhi poshtë diçka të tillë.
Në kampi me mbi 70 mijë persona ku ka me mijëra fëmijë, shumica e të cilëve kanë lindur aty, gjithçka është në kufijtë e mbijetesës. Al Hol është kampi më i madh në kufi me Turqinë, 29 mijë gra ndodhen aty jo vetëm nga Lindja e Mesme por edhe Evropa, gra luftëtarësh të ISIS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë