Ramen Çepele u shfaq në listën e trajnerit të Kombëtares, Edoardo Reja, në muajin gusht të vitit të kaluar, duke befasuar shumëkënd. Vetëm 17 vjeç dhe i formuar te klubi i Interit, djaloshi zbarkoi për herë të parë në grumbullimin e kuqezinjve si një nga zbulimet e stafit teknik. Ndonëse dukej si e parakohshme kjo thirrje, Çepele shfaqi që në fillim vlerat e tij dhe u tregoi të gjithëve se e meritonte të ishte pjesë e Kombëtares A.
Në fakt, mbrojtësi i talentuar është aktivizuar me ekipet kombëtare të moshave të Italisë, por kur mori ftesën e kombëtares kuqezi nuk u mendua dy herë. Debutimi i tij do të vinte në miqësoren e nëntorit 2020 ndaj Kosovës, ku ai luajti titullar dhe bërë një paraqitje mjaft të mirë. Me këtë debutim ai theu edhe një rekord, duke u bërë lojtari më i ri që luan në ndeshje zyrtare me Kombëtaren kuqezi.
Në intervistën e dhënë për rubrikën “Talenti Shqiptar” për Fshf.org, Ramen Çepele tregon se si e nis futbollin dhe zbulon karrierën e tij me skuadrat e moshave që duhet thënë se ka qenë impresionuese, pasi është shpallur kampion i Italisë për moshën U-15 dy vite më parë. Tashmë i transferuar te klubi i Hanoverit në Gjermania, shqiptari shpreson të vazhdojë të shkëlqejë dhe të luajë shumë shpejt mes profesionistëve.
Fillimet – “Pasionin për futbollin ma ka transmetuar babai im qysh në moshë të vogël. I kërkonte gjyshes që të më çonte të luajë futboll në fushën, që ndodhej pranë shtëpisë sonë. Gjithmonë isha i pari që shkoja te fusha dhe i fundit që kthehesha në shtëpi.
Ndodhte shpesh që rrija duke luajtur futboll deri në darkë dhe im atë, pasi kthehej nga puna, vinte te fusha që të më bindte për t’u kthyer në shtëpi, por unë sigurisht nuk doja. Aq sa i thoja “nuk kam se me çfarë të luaj në shtëpi, nuk kam play-station apo video-lojëra të tjera” dhe pak kohë më vonë ai më rrëfeu se e bënte gjithçka me qëllim që unë të shkoja në fushë për të luajtur me top”.
Kombëtarja – “Ka qenë një emocion i pabesueshëm, mezi prisja të luaja për Kombëtaren e vendit tim dhe më duhet të them se para ndeshjes debutuese isha shumë në ankth, por sapo zbrita në fushë emocionet u zhdukën dhe jam ndjerë shumë i qetë gjatë lojës.
Patjetër është një rekord dhe një arritje fantastike për mua. Kjo do të ishte ëndrra e kujtdo, por tani më duhet të shoh përpara dhe të punoj e mendoj për ndeshjet e radhës.
Kemi një grup me shumë lojtarë të rinj, sigurisht që ne do të provojmë gjithçka për të synuar kualifikimin për në Botëror, ndonëse në grup kemi skuadra shumë të forta, por të jeni të bindur se do të japim gjithçka për këtë objektiv”.
Hanover – “Babai im, por edhe gjyshi, kanë qenë gjithmonë tifozë të futbollit gjerman dhe transferimi im në Gjermani ishte si një ëndërr për ta. Më duhet të them se te klubi i Hanoverit më kanë pritur shumë mirë qysh në fillim dhe tani është radha ime që të jap maksimumin dhe të vazhdoj të ngjis shkallët në karrierë”.
Momenti më i lumtur – “Momenti më i bukur me klubin ishte kur luaja me Interin, në vitin tim të parë me skuadrën e moshës U-15. E nisëm sezonin duke mos qenë mes favoritëve, por përkundër parashikimeve arritëm deri në finale, ku mundëm Juventusin me rezultatin e thellë 5-0 dhe u shpallëm kampionë të Italisë. Atë sezon u shpalla edhe si mbrojtësi më i mirë i Italisë 2018 për grup-moshën time.
E kam nisur karrierën në ekipet kombëtare me Italinë, madje kam mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Ka qenë diçka shumë e bukur, por që nuk e krahasoj me debutimin tim në Kombëtaren shqiptare, diçka që e kam ëndërruar qysh kur isha i vogël”.
E ardhmja– Objektivi është ai për të shkuar sa më larg të jetë e mundur, si në nivel klubi ashtu edhe me fanellën e skuadrës Kombëtare. Për mua është një nder të luaj me Hanoverin dhe të përfaqësoj Shqipërinë dhe do të bëj gjithçka është e mundur për të shpërblyer besimin e atyre njerëzve, të cilët më kanë mbështetur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.