Politike

Censi për bujqësinë, ministri Salla: Sektori në një realitet të ri, ta njohim që ta zhvillojmë  

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Bujqësisë Andis Salla, në fjalën e mbajtur në Parlament prezantoi nismën për mbajtjen e censit për bujqësinë, duke e cilësuar atë si një instrument kyç për hartimin e politikave publike në sektor.

Ai theksoi se bujqësia shqiptare sipas tij ka pësuar ndryshime të rëndësishme vitet e fundit, me rritje të investimeve, zhvillim të agropërpunimit dhe zgjerim të eksporteve.

Sipas Sallës, të dhënat aktuale nuk janë më të mjaftueshme për të mbështetur vendimmarrjen dhe për këtë arsye nevojitet një census i ri sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Ministri bëri të ditur se procesi do të mbulojë pothuajse të gjithë sipërfaqen bujqësore dhe njësitë ekonomike që ushtrojnë aktivitet në bujqësi dhe blegtori.

Ministri nënvizoi se rezultatet e censit do të shërbejnë për planifikimin e investimeve publike, orientimin e skemave të mbështetjes dhe përgatitjen e vendit për Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së.

Salla sqaroi se Regjistri Statistikor i Njësive Ekonomike Bujqësore do të ketë vetëm funksion statistikor dhe nuk do të krijojë detyrime fiskale apo kontrolli për fermerët.

Ai shtoi se procesi do të organizohet nga INSTAT, ndërsa Ministria e Bujqësisë do të përdorë të dhënat për hartimin e politikave sektoriale.

Në përfundim, ministri u bëri thirrje deputetëve të mbështesin projektligjin, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë, ekonomisë dhe integrimin evropian të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë