Ekonomi

Cenimi i sigurisë kombëtare, si qeveria mund të zgjidhë kontratën koncesionare!

Sabina Veizaj- “Ne kemi besuar te dialogu e mirëkuptimi dhe nuk kemi dashur të krijojmë kosto të asnjë natyre me veprime ekstreme. Tani boll! Edhe deklarata e koncesionarit është një provë që koha ka mbaruar dhe limitet janë kapërcyer”- do të shprehej Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në daljen e saj të dytë për ngjarjen e rëndë të grabitjes së një shumë të madhe parash në avionin e Austria Airlines në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza”.

Ky artikulim ka ardhur pasi Ministrja Balluku ka renditur problematikat që kanë dalë në lidhje me koncesionarin e Rinasit, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në aspektin e dëmit ekonomik që i është  shkaktuar qytetarëve me çmimet e kripura të vendosura nga kompania.

“Ne do ta përballim kompaninë deri në fund me përgjegjësitë e saj, jo vetëm për cënimin e vazhdueshëm të sigurisë, jo vetëm dëmet e për efektin negativ që ka krijuar mbi sistemin bankar, por edhe për prishjen e imazhit kombëtar kudo në botë”- do të thoshte ministrja Balluku. 

Por një natë më parë, Balluku shkoi edhe më tej, kur deklaroi se qeveria shqiptare është e gatshme të prishë koncesionin me kompaninë China Everbright Limited, me bazë në Hong Kong. Ajo tha se kishte takuar presidentin e kompanisë dhe i ka lënë disa detyra, të cilat nëse nuk përmbushen, masat nga ana e qeverisë do të jenë ekstreme dhe çështja do të shkojë në gjykatën Strasburgut.

Kërcënimi dhe vendimi ekstrem që do të vinte nga Qeveria Shqiptare për mospërmbushje të elementëve të sigurisë (edhe pas testeve të ushtruara prej Autoritetit të Aviacionit Civil) do të ishte zgjidhja e kontratës mes palës shqiptare të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe koncesionarit që shërben në aeroportin në Tiranë. 

Por si mund të bëhet zgjidhja e kontratës?

Pas leximit të kontratës dhe konsultimit me juristen e Gazeta “Si”, Elvana Deshati, rasti në fjalë i përkon shkeljes thelbësore, që parashikohet në pikën 28.5 të kontratës së koncensionit duke marrë parasysh deklarimet e ditëve të fundit të qeverisë shqiptare dhe vendimit të saj për ruajtjen e aeroportit nga ushtria e vendit.

Rastet që përbëjnë shkelje thelbësore referuar kontratës; (a) Shoqëria s'ka përmbushur detyrimet e saj lidhur me sigurinë teknike dhe sigurimin në përputhje me Shtojcën 39 (Sistemi i Administrimit te Sigurisë në Aeroport), dhe nuk e ka ndrequr këtë mospërmbushje brenda pesë  ditëve pasi ka marrë njoftim me shkrim nga Qeveria Shqiptare ku ajo njofton Shoqërinë për këtë mospërmbushje.

Në shtojcën 39 citohet: “Shoqëria do të përgatisë një Sistem të Administrimit të Sigurisë në Aeroport që përfshin:

-Dokumentacionin e sigurisë në lidhje me procedurat e sigurisë.

-Sistemi i mbledhjes së të dhënave dhe raportimit në lidhje me aspektet e sigurisë.

-Vlerësim i të dhënave të aeroportit dhe përcaktimi i modelit, etj.

Në të njëjtën kohë, Pika 12, “Siguria dhe mbrojtja”, përcakton se shoqëria koncensionare është përgjegjëse për sigurinë në zonën e koncensionit, por kjo në varësi të konfirmimit me shkrim nga organi shtetëror i autorizuar.

Kujtojmë këtu që rasti i grabitjes me armë brenda mjediseve të aeroportit ndodh për herë të dytë brenda tre vitesh. Hera e parë ka qenë në 2016-ën, menjëherë pas amendimit të kontratës fillestare, ku koncesionarit iu zgjat kontrata e ushtrimit të aktivitetit me dy vite (22 vjet nga 20 vjet që ishte me kontartën origjinale).

Në këtë rast, mospërmbushja nga Shoqëria, të secilit prej detyrimeve të tyre të parashikuara në Kontratë, klasifikohet si mospërmbushje e plotë.  

Në bazë të pikës 36 të kontratës zgjidhja do të kalohet nga Palët e përfshira në Mosmarrëveshje fillimisht tek përfaqësuesit e Organit Shtetëror të Autorizuar dhe përfaqësuesit e Shoqërisë, të cilët do të takohen dhe do të përpiqen ta zgjidhin mosmarrëveshjen me mirëkuptim midis tyre.

Sipas kontratës, pala që dëshiron të fillojë këtë procedurë do t'i dërgojë një njoftim me shkrim palës tjetër.

Nëse përfaqësuesi i Organit Shtetëror të Autorizuar dhe përfaqësuesi i Shoqërisë nuk takohen, ose, Mosmarrëveshja nuk zgjidhet brenda një (1) muaji nga marrja e këtij njoftimi, çdo palë e Mosmarrëveshjes mund të kërkojë që ajo të zgjidhet me arbitrazh.

Çdo Mosmarrëveshje, në shkallë të fundit do të zgjidhet me arbitrazh në përputhje me Rregullat e Arbitrimit te IÇ të zbatueshme në kohën e nënshkrimit te kësaj Kontrate .

Duke pranuar arbitrazhin, palët heqin dorë në mënyrë të parevokueshme nga të drejtat për apel, rishikim, apo rekurs në çdo gjykatë shtetërore apo autoritet tjetër gjyqësor, për aq kohë sa kjo heqje dore bëhet në mënyrë të vlefshme. Për sa i përket rrethanave për kundërshtimin e një vendimi arbitrazhi në përputhje me seksionin 595 te Kodit Austriak të Procedurës Civile, palët heqin dore vetëm nga e drejta për të kundërshtuar vendimin në  përputhje me seksionin 595 (1) numër 7 te Kodit Austriak të Procedurës Civile në lidhje me faktet ose provat e reja. Palët nuk heqin dorë nga rrethanat e tjera për te kundërshtuar. Palët bien dakord që çdo vendim mund të ekzekutohet ndaj tyre ose aktiveve   të tyre kudo gjenden.

Sipas kontratës, asgjë ne këtë dokument nuk e pengon një palë që të kërkojë përpara çdo autoriteti gjyqësor kompetent, të marrë vendime paraprake ose masa të përkohshme për çështje që lidhen me këtë Kontratë.

As fillimi dhe as vazhdimi i negociatave në çfarëdolloj forme apo mënyre të parashikuar sipas kësaj Kontrate, nuk do të shkarkojë apo në të kundërt cënoje apo prekë ndonjë detyrim të Palëve sipas kësaj Kontrate, përfshi këtu edhe përmbushjen e tyre sipas rastit.

Koncesioni  dhe ndryshimi i kontratës me Këshillin e Ministrave më 2016-ën

TIA në vitin 2014 nënshkroi një kontratë koncesionare ekskluzive me qeverinë shqiptare për Projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Nderkombetar “Nënë Tereza”. Kontrata ekskluzive nënkuptonte që për 20 vjet, sa parashikohej edhe zgjatja e kontratës në territorin shqiptar nuk do të vihej në funksionim asnjë aeroport tjetër.  

TIA është një nga kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri.

Kompania ka deklaruar një normë rekord fitimi (para taksave) prej 40.7% në vitin 2015, në rritje nga 35.5% që ishte ky tregues një vit më parë.

Sipas të dhënave nga bilanci, të ardhurat e Tirana Internationa Airport ishin rreth 4.9 miliardë lekë (35 milionë euro) në vitin 2015, me një rritje prej 15% me bazë vjetore.

Në 2017-ën fitimet neto të kompanisë rezultuan 2,3 mld lekë.

Në 2016-ën qeveria shqiptare amendoi kontratën e 2014-ës, ku TIA mori një zgjatje të menjëhershme të afatit të koncesionit me dy vite, dhe vite shtesë mbi 22 vitet sipas kontratës në varësi të hyrjes në funskion të aeroportit të Kukësit dhe të Vlorës. Afati shtesë maksimal do të ishte 4.5 vite në total nga kontrata origjinale.

Problemet me kontratën origjinale

Studioja ligjore ATD ka bërë në vitin 2015 një studim dhe vlerësim të kontratës oriogjinale të lidhur mes qeverisë shqiptare dhe “Tirana Airport Partners” në atë kohë.

Studimi do të konkludonte në atë kohë se Marrëveshja e tipit Boot (ndërtim, zotërim, operim, transferim) bie në kundërshtim me “legjislacionin e zbatueshëm” në vend, që janë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe çdo ligj i zbatueshëm i qeverisë vendore ose qendrore, urdhëruese, dekret, ligj ose rregullore e Republikës së Shqipërisë etj gjatë afatit të koncesionit, si dhe në kundërshtim me “Konventat”.

Sipas këtij studimi ligjor të kontratës, kjo kontratë ka përjashtuar zbatimin e ligjit për prokurimet.

Studimi e cilëson kontratën tërësisht të pavlefshme duke iu referuar klauzolës së Ekskluzivitetit.

Por, me gjithë ndryshimet që i janë bërë kontratës, ato nuk e prekin thelbin e saj, përveç klauzolës së ekskluzivitetit, për “cënimin” e të cilës koncesionari përfiton shtyrje të afatit të përmbushjes së kontratës.

 Aksioneri i vetëm i TIA

Kompania Real Fortress Private Limited që është zyrtarisht aksioneri i vetëm i Aeroportit Ndërkombëtar në Tiranë, “Nënë Tereza” është e krijuar në Singapor më 22 qershor 2016 dhe është një kompani offshore.

Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në fillim të nëntorit 2018 pas shitjes së kontratës koncesionare prej tre aksionerëve  Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”,  DEG-Deutsche investitions-und  Entwicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”).

Sipas kontratës zyrtare, çmimi i shitjes së kuotave është 82.25 milionë euro.

Përfaqësuesi ligjor i aksionerit është Hu WaiKwok.

Autoriteti i Konkurrencës do të zbardhte skemën e kompanive blerëse, ku blerësi direkt ishte Keen Dynamics Limited, i regjistruar në Ishujt Cayman, me një xhiro zero më 2015-ën. Kurse China Everbright Limited ishte kompania mëmë dhe kishte një qarkullim vjetor prej 1.2 miliardë euro.

Më 10 tetor, TIA do të njoftonte zyrtarisht se China Everbright Limited, kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong, kishte marrë në zotërim 100% të kapitalit aksioner të TIA-s.

Transaksioni u vonua sepse Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është kreditori i TIA, që nga viti 2005, kishte kërkuar më shumë informacion për blerësin.

Pas kalimit të aksioneve të blerësi i ri, Real Fortress Private Limited, në QKB është bërë depozitimi në lidhje me transferimin e kuotave të shoqërisë nga shitësi tek ortaku i vetëm, marrëveshjen ndërmjet shitëseve dhe BERZH, e cila funksionon për llogari të saj dhe të kreditorëve kryesorë për zgjidhjen e marrëveshjes së shitjes me kusht të lidhur më datë 08.04.2005 dhe depozitimi i Marrëveshjes së shitjes me kusht, Nr.1764 Rep, Nr.246/2 Kol, datë 06.10.2016, midis palëve, shoqëria “Real Fortress Private Limited” dhe “Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”.

Në dokumentin për zgjidhjen e kontratës mes tre aksionerëve fillestarë dhe BERZH, do të sqarohej se në marrëveshjen për blerjen e kuotave e nënshkruar në 11 prill 2016, ortakët shitës kanë rënë dakord ti shesin te Keen Dynamic limited, shoqëri offshore në ishujt Cayman.

Hu WaiKwok, përfaqësuesi ligjor i Real Fortress Private Limited, nga 30.09.2016, është përfaqësuesi i deleguar i kompanisë China Everbright Limited.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë