Rreth 2 milionë shqiptarë përdorin internetin nëpërmjet celularit. Por si po zhvendoset konsumi tradicional i thirrjeve dhe sms drejt broadband-it që u rrit me 23.2% krahasuar me 2018-ën.
Përdoruesit e telefonisë celulare kanë rritur konsumin e internetit dhe kanë ulur thirrjet telefonike dhe mesazhet. Të dhënat e fundit të publikuara nga AKEP për tremujorin e tretë 2019 tregojnë se konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare ishte: 184 minuta dalëse, 31 SMS dhe 3.4 GB Internet. Krahasuar me tremujorin e dytë, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rënie me 2.6%, konsumi mesatar i SMS-ve pati një rënie me 7.2% por konsumi mesatar i internetit u rrit me me 13.6%.
Tregu i është kthyer trendeve rritëse sa i përket numrit të pajtimtarëve të shërbimeve celulare. Në të gjithë vendin sipas kartave SIM ka rreth 3,5 milion përdorues ose 0.2% më shumë në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rënie me 24.3% në krahasim me T3 2018. Është rritur dhe numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T3 2019 arriti në rreth 2.5 milionë që përbën një rritje me rreth 5.1% me T2 2019 dhe rënie me 5.4% në krahasim me T3 2018;
Tendenca është drejt përdorimit të internetit dhe sipas statistikave zyrtare numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T3 2019 ishte rreth 1.9 milionë që përbën një rritje me 13.8% me tremujorin e mëparshëm, por me një rënie me 0.2% në krahasim me Tremujorin e tretë 2018. Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celuare gjatë T3 2019 ishte rreth 20.2 Milion GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 3.4 GB Internet në muaj në T3 2019, që përbën një rritje me 13.6% në krahasim me T2 2019 dhe një rritje me 23.2% krahasuar me T3 2018.
Sipas statistikave totali thirrjeve dalëse të gjeneruar nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T3 2019 ishte rreth 1.4 miliardë minuta, me një rritje prej 2.3% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me një rënie prej 8% me T3 2018. Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) u rrit me 2.5% në krahasim me T2 2019 dhe u ul me 7.8% në krahasim me një vit më parë në T3 2018 ndërkohë që sasia e thirrjeve on-net u rrit me 2% në krahasim me T2 2019 dhe pësoi një rënie me 7.9% në krahasim me T3 2018.
AKEP monitoron tregun për thirrjet brenda me jashtë rrjetit(on-net/off-net) të cilat në T3 2019 ishin në raportin 57%/41% njëlloj me T3 2018 (pjesa mbetur 1% thirrje me rrjetet fikse kombëtare dhe 1% thirrje ndërkombëtare).
Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T3 2019 ishte rreth 237 milion që përbën një rënie me 2.4% krahasuar me T2 2019 dhe një rënie me 21% me T3 2018;
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.