Lajme

Celibashi: Probleme me numërimin, do fillojmë sanksionet

Kryekomisioneri i KQZ, Ilirjan Celibashi sheh si problematikë kryesore procesin e numërimit të votave. Në një dalje për mediat,  Celibashi tha se ka momente tensioni, porse situata do të ndryshojë.  

“Për fat të keq, vazhdojmë të kemi probleme në sjelljen e anëtarëve të KZAZ-së dhe grupeve të numërimit në lidhje me administrimin e këtij procesi. Jemi të ndërgjegjshëm që puna është e vështirë dhe nën tension.

Vlen të thuhet që KQZ ka reaguar dhe ajo çfarë vlen të theksohet është se pas ndryshimit, situata ka ndryshuar. Në momentin që flasim, nuk kemi informacion që të jetë ndërprerë procesi i numërimit në ndonjë KZAZ. Në faqen e internetit të KQZ gjenden të gjitha informacionet edhe për qendrat e votimit që janë përfshirë në rezultat”, tha Celibashi.

Ajo paralajmëroi edhe sanksione.

“Zëvendësimi i tyre (numëruesve) nuk është kompetencë e KQZ, por e KZAZ-ve. Do të vlerësojmë rast pas rasti se cila prej KZAZ-ve e ka ushtruar këtë kompetencë. Ne nuk mund të ndërhyjmë për sa kohë kjo kompetencë i takon KZAZ-të. Do presim orën 10:00 dhe do bëjmë vlerësimin e situatës, kush e ka bërë mirë detyrën dhe kush nuk e ka bërë mirë. Për ata që nuk e kanë bërë mirë do zbatohen sanksionet që parashikon ligji”.

Në lidhje me raportimet e disa kandidatëve për parregullsi, Celibashi tha:

“Kemi pasur disa raportime nga kandidatët për deputet, së fundmi nga Boiken Abazi në lidhje me parregullsi sipas tyre të vërejtura në disa KZAZ të Tiranës në lidhje me mënyrën si është bërë vlerësimi.

Jemi duke e ndjekur si situatë dhe përsa i takon KQZ do të mbajmë qëndrimet e duhura dhe do të marrim vendime”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë