Lajme

Çelet tenderi për Lungomare 2

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur garën për tender me prokurim publik për realizimin e projektit “Lungomare 2”.

Kompanitë e interesuara kanë afat të dorëzojnë ofertat deri në datën 12 shtator 2019.
Projekti do të bëjë që shëtitorja përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, do të zgjatet nga fushat e sportit deri te zona e tunelit.

Ky do të jetë segmenti jugor, për ndërtimin e të cilin fondi limit i vënë në dispozicion është 459 milion lekë (pa TVSH).

Referuar dokumenteve të tenderit, punimet pritet të zgjatin 18 muaj pas nënshkrimit të kontratës.

Financimi do të bëhet me paratë e buxhetit të shtetit.

Për vitin 2019, për realizimin e kësaj vepre infrastrukturore janë vënë në dispozicion 50 milion lekë. Shpenzimet totale i përkasin buxhetit afatmesëm 2019-2021.

Vazhdimi i Lungomares vjen pas përfundimit të pjesës së parë të projektit. Shëtitorja aktuale është financuar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian, me një vlerë totale prej 17.2 milion euro.

Programi IPA 2013 i BE-së, akordoi 12 milionë euro, kurse Qeveria Shqiptare rreth 5.2 milionë Euro. Projekti bëri rehabilitimin dhe rivitalizimin e hapësirës urbane brenda Vijës Bregdetare të qytetit të Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë