Politike

Çelësat e shtëpive, shkelin apo jo vendimet e KQZ-së?

Promovimi publik i dorëzimit të çelësave të shtëpive të shembura nga tërmeti dhe më pas të ndërtuara, ose rindërtuara a janë aktivitete të ndaluara nga Kodi Zgjedhor dhe vendimet e Komisionit Rregullator, apo janë aktivitete të përditshme të kryetarëve të bashkive?

Kjo ishte pyetja që mori dy përgjigje diametralisht të kundërta nga mbledhja e fundit e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku këtë herë në tavolinë kishte disa kallëzime të Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

LSI thotë se Erion Veliaj ka shkelur pikën dy të vendimit numër 9 të KQZ-së për aktivitetet e ndaluara 4 muaj para zgjedhjeve në të paktën dy raste.

Përfaqësuesit e LSI-së kanë identifikuar një postim të kryebashkiakut të Tiranës të datës 12 janar 2021, ku ka përuruar banesat e dy familjeve në fshatin Mumajes dhe një në datën 27 janar 2021 ku së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj kanë përuruar banesën e një familjeje në Vaqarr.

“Ky veprim i tyre është në kundërshtim me vendimin nr.9 të KQZ, ku parashikohet si ‘veprimtari të ndaluara për t’u promovuar’, të cilat janë veprimtari publike që përfshijnë mbështetjen dhe promovimin e objekteve të rindërtuara, ose në proces rindërtimi nga fatkeqësitë natyrore”, thuhet në kërkesën e LSI-së.

Sipas përfaqësuesve të LSI-së, pika është e qartë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka shkelur. Ata akuzuan Erion Veliajn se është përpjekur që të intimidojë KQZ-në duke kundërshtuar vendimin për aktivitetet e ndaluara publikisht.

“Ky vendim është kundërshtuar publikisht në datën 17 janar nga kryetari i Bashkisë në një dalje publike dhe Komisioni nuk është shprehur mbi këtë, duke ushtruar ndikim për Komisionin, që është një institucion i pavarur dhe vendimmarrjen e tij”, thanë përfaqësuesit e LSI.

Por, përfaqësuesi i Erion Veliajt, Eridian Salianji tha se veprimet e kryebashkiakut janë pjesë e punës së tij të përditshme dhe nuk janë pjesë e aktiviteteve të ndaluara.

“Është në kuadër të kryerjes së veprimtarisë së përditshme të kryetarit të Bashkisë që pasqyrohen më pas në faqen zyrtare të Bashkisë. mediat e kanë marrë nga faqja zyrtare e bashkisë. Fondet janë parashikuar para datës 24 dhjetor, pra nuk janë fonde të hapura rishtazi. Kjo është veprimtaria e përditshme e kryetarit të Bashkisë”, tha ai.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të mblidhet të martën për të vijuar diskutimet mbi këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë